Një aksident i rëndë rrugor me pasoja fatale është regjistruar në fshatin Fier-Shegan, në segmentin e aksit kombëtar Lushnjë-Berat.
Sipas informacioneve të para të policisë një automjet tip Mercedes-Benz me targa AB 929 MT ka përplasur për vdekje një këmbësor 59-vjeçar, i identifikuar si Enver Pepa, banor i fshatit Fier-Shegan.
Viktima, e cila tentonte të kalonte rrugën, u godit nga mjeti dhe, pavarësisht transportit të menjëhershëm me ambulancë drejt Spitalit të Lushnjës, nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të rënda të marra.
Drejtuesi i automjetit është identifikuar si Orgest Kasa, 35 vjeç, po ashtu banor i fshatit Fier-Shegan. Ai është ndaluar nga Policia dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Forcat e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje, ku po kryhen veprimet e nevojshme për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e përgjegjësive.
Njoftimi i policisë:
Lushnjë / Informacion paraprak
Rreth orës 18:50, në aksin rrugor “Berat–Lushnjë”, shtetasi E. K., 34 vjeç, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur këmbësorin, shtetasin E. P., rreth 60 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në spital.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi E. K., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.













