Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është takuar me futbollistin e mirënjohur të Kombëtares, Bersant Celina. Takimi është shoqëruar me një mesazh falënderues për përkushtimin e Celinës ndaj fanellës së Kosovës, si dhe me fotografi nga momenti i tyre.
Ademi ka rikujtuar se Celina ishte ndër lojtarët e parë që iu bashkua Kosovës në hapat e parë të saj ndërkombëtarë. Që në moshën 16-vjeçare ai debutoi me Kombëtaren U21, ndërsa një vit më vonë ishte pjesë e ekipit A në miqësoren historike kundër Haitit, të zhvilluar në Mitrovicë.
“Ish-talenti i Manchester City-t, me teknikën e tij të jashtëzakonshme, shpejt u bë idhull i tifozëve ‘Dardanët’. Jemi mirënjohës që Bersanti, ndonëse kishte vështirësi në gjuhën shqipe, pa asnjë hezitim zgjodhi Kosovën me zemër”, është shprehur presidenti i FFK-së.
Pas një periudhe të vështirë me lëndime dhe ndërrime klubesh, Celina tashmë është rikthyer fuqishëm, duke treguar sërish cilësitë që e kanë bërë një nga futbollistët më të dashur të Kosovës.
“Kënaqësi biseda dhe qëndrimi me djaloshin, të cilit që nga dita e parë zemra i ka rrahur vetëm për Kosovën,” ka përfunduar Ademi.