Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në ambientet e FFK-së përfaqësuesit e Ligës së Veteranëve, të cilët ai i quajti “njerëzit që e kanë shkruar historinë e futbollit kosovar me mund, djersë dhe sakrificë”.

Ademi tha se ky takim ishte një rikthim te rrënjët dhe te vlerat që nuk duhet të harrohen, duke theksuar se veteranët e futbollit, në kohë shumë më të vështira se sot, arritën të mbajnë gjallë pasionin për lojën dhe të ndërtojnë themelet mbi të cilat sot po zhvillohet futbolli modern në vend.

Veteranët vizituan FFK-në për të përgëzuar institucionin dhe Kombëtaren e Kosovës për arritjen historike të ditëve të fundit, e cila ka gëzuar gjithë vendin. Sipas Ademit, për këtë gjeneratë të futbollistëve që kanë sakrifikuar në periudha kur Kosova nuk ishte e pranuar ndërkombëtarisht, suksesi aktual ka një peshë të veçantë.

“Tek ta shohim krenari, mirënjohje dhe besim se futbolli ynë po ecën drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur,” ka shkruar Ademi, duke shtuar se veteranët kanë vlerësuar gjithashtu tifo-grupin “Dardanët” për mbështetjen korrekte, motivimin e futbollistëve dhe shembullin e qytetarisë që tregojnë në çdo ndeshje.

Presidenti i FFK-së u shpreh mirënjohës për kontributin historik të veteranëve, duke theksuar se gjenerata e sakrificës i hapi rrugën zhvillimit të futbollit të sotëm.

“Respekt i pafund për secilin prej tyre për trashëgiminë, kontributin dhe frymën që vazhdon të na inspirojë. Së bashku rikujtuam edhe njëherë se suksesi i sotëm ka rrënjë të thella,” përfundoi Ademi.

SHPËRNDAJE