Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se ka ofruar dorëheqjen e tij si akt përgjegjësie morale duke theksuar se vendimi përfundimtar i takon Kuvendit dhe anëtarësisë së LDK-së.
Në një deklaratë të gjatë publike, Abdixhiku tha se pas një diskutimi prej mbi pesë orësh me strukturat e partisë, është arritur një qëndrim i përbashkët që reflekton vullnetin e shumicës dhe jo mendimin individual.
“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas LDK-së si institucion duke nënvizuar se çdo vendim duhet të merret me rregull, dinjitet dhe respekt ndaj anëtarësisë.
Ai paralajmëroi se Kuvendi i LDK-së është thirrur dhe se aty do të zhvillohet debati i hapur, ku secili do të ketë mundësi të propozojë dhe të garojë, ndërsa vendimet do të merren në mënyrë demokratike.
“LDK nuk është reagim i çastit dhe as vendim i rrjeteve sociale. LDK është institucion”, tha Abdixhiku duke bërë thirrje për qetësi, përgjegjësi dhe shmangie të protagonizmit politik.
Në fund, ai ritheksoi se fati i tij politik nuk qëndron mbi partinë dhe se çdo vendim që do të marrë Kuvendi do ta respektojë me nder dhe qetësi.
“Sepse mbi çdo emër është LDK. Dhe kështu na takon të gjithëve”, përfundoi Abdixhiku.




