Kryetari i cili ka ofruar dorëheqje në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka përshëndetur përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes.
Abdixhiku, ndonëse nuk ka përmendur askund presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se përfshirja e Kosovës në një iniciativë ndërkombëtare të udhëhequr nga presidenti i SHBA’ve, Donald Trump, “tejkalon secilin lajm ditor”.
“Për një shtet që ka kaluar nga lufta në liri, falë edhe ndërhyrjes ndërkombëtare, prania në tryezat ku diskutohet paqja globale është edhe dëshmi, edhe përgjegjësi. Dëshmi e suksesit tonë, përgjegjësi për rolin tonë prej shtetit të ri. Është shenjë se Kosova nuk shihet vetëm si përfituese e paqes, por edhe si pjesë e saj”, ka deklaruar ndër të tjera Abdixhiku.
“Në një botë gjithnjë e më të fragjile, çdo hap i përbashkët me SHBA-të është hap që forcon sigurinë tonë kombëtare, thellon aleancat tona strategjike dhe e vendos Kosovën aty ku i takon; në anën e paqes dhe aleancave të drejta”, vijon shkrimi i tij.
Abdixhiku po ashtu ka folur në emër të LDK’së, duke thënë se ky subjekt politik e përkrah këtë “hap të madh drejt një kapitulli të ri dhe i gëzohet këtij fakti historik”.




