Ish-kryeprokurori i Hagës në rastin kundër krerëve të UÇK-së, Jack Smith, ka deklaruar se gjatë udhëtimeve të tij nga Haga në Washington ka zhvilluar takime zyrtare me përfaqësues të lartë të institucioneve amerikane, ku në fokus kanë qenë edhe puna e tij si prokuror ndërkombëtar.
Duke dëshmuar përpara Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, Smith tha se në takimet në Departamentin e Drejtësisë dhe Departamentin e Shtetit është pyetur për punën e tij në Hagë. Ai u shpreh se zyrtarë të lartë të Departamentit të Drejtësisë janë interesuar për përvojën dhe angazhimin e tij profesional në Gjykatën Speciale.
Drejtuesi i Komitetit e pyeti Smithin për temat e diskutimeve që ai kishte pasur me zyrtarë si Lisa Monaco, James Clapper dhe Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland. “Ata më pyetën për punën time në Hagë”, u shpreh Smith në dëshminë e tij.
Ai shtoi se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara kishte mbajtur edhe një fjalim në Seksionin e të Drejtave të Njeriut në Departamentin e Drejtësisë, ku kishte folur për punën që po zhvillohej në Hagë.
I pyetur nga kryetari i Komitetit nëse bisedat ishin kufizuar vetëm në këto tema, Smith tha se diskutimet kishin qenë kryesisht rreth punës së tij, përvojës si prokuror dhe mënyrës se si ai e vlerësonte angazhimin profesional që kishte pasur.