Një operacion masiv policor, i konsideruar ndër më të mëdhenjtë e viteve të fundit, është zhvilluar sot në disa qytete të Kosovës në kuadër të hetimit për skandalin e Bankës Kreditore të Kosovës (BKS).

Sipas informacioneve të siguruara, 39 persona janë ndaluar, ndërsa në aksion kanë marrë pjesë rreth 400 zyrtarë policorë, të angazhuar nga disa njësi të specializuara të Policisë së Kosovës.

Aksion i koordinuar në disa lokacione

Operacioni është zhvilluar njëkohësisht në Prishtinë, Prizren dhe qytete të tjera, ku janë kryer: bastisje në objekte afariste dhe banesa, kontrolle të dokumentacionit financiar, sekuestrim i provave materiale dhe pajisjeve elektronike.

Burimet bëjnë të ditur se aksioni është zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë, pas një hetimi disa mujor për krim ekonomik, keqpërdorim të besimit, falsifikim dokumentesh dhe bashkëkryerje.

Në fokus edhe “Reforma SH.P.K.”

Burimet e afërta me hetimin konfirmojnë se ky aksion përfshin edhe personin juridik “Reforma SH.P.K.”, një biznes i njohur që vepron në sektorin e shitblerjes së veturave, shitës dhe servis i autorizuar për VW dhe Audi, si dhe kompani që kryen riparime të veturave pas aksidenteve.

Dyshohet se veprimtaria afariste dhe dokumentacioni i kësaj kompanie janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me skemën që po hetohet rreth BKS-së, duke e bërë atë pjesë të të njëjtit rast penal.

Çka po hetohet

Hetimet po zhvillohen mbi dyshime për: keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, krijim dhe përdorim të dokumenteve të rreme, transaksione të dyshimta financiare, përgjegjësi penale të personave fizikë dhe juridikë.

Gjatë aksionit janë sekuestruar dosje financiare, kontrata, fatura, si dhe pajisje elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen analizës së detajuar nga hetuesit.

Hetimet vazhdojnë

Burimet theksojnë se rasti është ende në fazë aktive, ndërsa nuk përjashtohet:   rritja e numrit të të dyshuarve, masa të tjera ndaluese, si dhe veprime të reja procedurale në ditët në vijim.

Gazeta do të vazhdojë të raportojë për këtë rast, i cili tashmë po konsiderohet një nga skandalet më të rënda financiare dhe ekonomike në vend.

SHPËRNDAJE