Me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka zhvilluar sot një aksion të gjerë në Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Rahovec, Podujevë, Obiliq, ku janë angazhuar mbi 300 zyrtarë policorë dhe 10 prokurorë.
Në kuadër të këtij operacioni cak i hetimit ishin mbi 40 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, ndërsa në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-drejtuesit e BKS-së.
Në aksionin e zhvilluar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, lidhur me veprat penale në fushën e krimeve ekonomike, janë arrestuar 15 persona.
Burimet bëjnë me dije se ndaj të arrestuarve është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, ndërsa pritet që Prokuroria të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Gazeta ka raportuar ekskluzivisht se si pasojë e këtij operacioni të madh janë arrestuar Sami Mazreku, ish-drejtues i Byrosë Kosovare të Sigurimeve si dhe Valon Berisha, ish-drejtor i financave në këtë institucion.
Të arrestuar tjerë siç merr vesh ekskluzivisht Gazeta janë: Valon Duraj, Naser Biri, Djellza Kabashi, Brendona Muja, Naxhije Qollaku, Mirjeta Hoti, Marigona Qollaku Krasniqi, Lirim Ahmetaj.













