Debati politik që zgjati një muaj për shpenzimet e qeverisë federale, mori fund të premten në mbrëmje vone, pasi Presidenti Barak Obama dhe ligjvënësit ranë dakord për shkurtimet prej 38 miliardë dollarësh. Por shumë zyrtarë në Uashington thonë se përplasja e fundit mes republikanëve dhe demokratëve ishte vetëm preludi i një seri përplasjesh të mundshme lidhur me shpenzimet qeveritare gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.

Mijëra njerëz u mblodhën dje në Uashington për një aktivitet që për pak u anulua këtë vit, Parada Festive e Çeljes së Luleve të Qershive. Një nga bulevardet kryesore të kryeqytetit amerikan do të kishte qenë i zbrazët, ashtu si shumë zyra të qeverisë federale, nëse Presidenti amerikan Barak Obama dhe ligjvënësit republikanë nuk do të kishin rënë dakord për buxhetin të premten vonë, marrëveshje që shmangu mbylljen e qeverisë.

Në fjalimin e tij javor në radio dje, Presidenti Obama tha se rezultati i “negociatave të gjata dhe të vështira”, lidhur me buxhetin ishte një lajm i mirë për popullin amerikan.

“Kjo do të thotë se bizneset e vogla do të marrin huat që kanë nevojë, familjet tona kreditë për blerjen e shtëpive, njerëzit mund të vizitojnë parqet kombëtare dhe muzeumet, dhe qindra mijëra amerikanë do të paguhen në kohë, përfshirë edhe gratë dhe burrat e guximshëm që shërbejnë nën uniformë”.

Por kushtet janë krijuar për atë që ka të ngjarë të jetë një debat po aq pasionant gjatë gjashtë muajve të ardhshëm lidhur me maksimumin e borxhit të vendit dhe buxhetin e vitit 2012.

Administrata Obama ka kërkuar ngritjen e kufirit maksimal të borxhit mbi nivelin e tanishëm që është 14.3 trilionë dollarë, por disa ligjvënës republikanë kanë thënë se nuk do të votojnë pa shkurtuar edhe më shumë shpenzimet e këtij viti.

Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane ka në plan të votojë javën e ardhshme për një plan që do të shkurtonte ndjeshëm shpenzimet në 2012 dhe që do t’i hapnin rrugën shkurtimeve prej 6.2 trilionë dollarësh gjatë dekadës së ardhshme.

Dje, Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin, Pol Rajan, tha se propozimi i saj për buxhetin e 2012 është pjesë e asaj që i duhet Amerikës për të ecur në “rrugën e vërtetë drejt prosperitetit”.

Ai shfrytëzoi fjalimin javor në radio të partisë së tij si një sulm gati të drejtpërdrejtë ndaj planit që njoftoi kohët e fundit Obama se do të konkurrojë për një mandat të dytë presidencial.

“Është e pandërgjegjshme t’i lëmë brezit të ardhëshëm një borxh rëndues dhe një vend të rënie. Obsesioni i Uashingtonit me zgjedhjet e ardhshme është kthyer në një kosto rënduese për brezin e ardhshëm”.

Të dy partitë politike në Shtetet e Bashkuara janë të një mendimi se duhen shkurtuar shpenzimet, por ato kanë qëndrime shumë të ndryshme se cilat programe duhen shkurtuar. Pikëpamjet e tyre të ndryshme ishin në thelb të debatit politik një mujor për shpenzimet e këtij viti.

Republikanët janë përgjithësisht në favor të shkurtimeve për programet sociale, ndërsa demokratët flasin zakonisht në mbrojtje të tyre dhe për taksa më të larta, si dhe për heqjen e disa programeve për bizneset.

Çdo përplasje politike për këto çështje do të shikohej si synim më vete për zgjedhjet presidenciale të 2012, për të cilat analistët parashikojnë se do të jenë më të kushtueshmet ndonjëherë, duke kapur ndoshta shumën e një miliardë dollarëve.

SHPËRNDAJE