Parlamenti Evropian (PE) sot në seancën plenare në Strasburg do të debatojë, ndërsa nesër do të votojë për rezolutën për përparimin e Republikës së Maqedonisë në rrugën për anëtarësim në BE.

Dokumentin, që më 16 mars u aprovua nga Komisioni për politikë të jashtme i PE-së, do ta mbrojë eurodeputeti bullgar nga grupi i socialistëve dhe demokratëve Kristian Vigenin në vend të Zoran Talerit, i cili për shkak të skandalit me korrupsion dha dorëheqje nga funksioni europarlamentar dhe raportues për Maqedoninë.

Eurodeputeti gjerman dhe shef i grupit të Socialistëve dhe demokratëve Martin Shulc konsideron se rezoluta e propozuar është valide edhe krahas asaj që ajo u përpunua nga Zoran Taler, emri i të cilit do të ndodhet në dokument.

Në rezolutën Parlamenti Evropian edhe një herë kërkon hapje urgjente të negociatave për anëtarësim në BE, me keqardhje që Këshilli i BE-së nuk i ka ndjekur rekomandimet e deritanishme të Europarlamentit dhe Komisionit Evropian.

Eurodeputetët njëkohësisht shprehin keqardhje që dallimet për emrin midis Athinës dhe Shkupit e bllokojnë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së. Në këtë drejtim ata edhe një herë kanë theksuar se “të dyja palët duhet t’i zgjidhin problemet bilaterale në frymën e fqinjësisë së mirë duke mbajtur llogari për interesin e përgjithshëm të BE-së”. Rezoluta gjithashtu kërkon nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së të fillojnë me përpunimin e mekanizmit për arbitrazh i cili do të mundësonte të zgjidhen problemet bilaterale midis vendeve kandidate për anëtarësim me shtetet kandidate ose anëtare të BE-së. Nga komisari evropian për zgjerim Stefan Fyle kërkohet të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes për çështjen për emrin, si dhe të propozojë masa politike duke i respektuar tërësisht procedurat për negociata të cilat janë në vijim në KB. Gjetja e zgjidhjes për kontestin për emrin, sipas tekstit të rezolutës, paraqet test për politikën e jashtme të BE-së pas Marrëveshjes së Lisbonës, ashtu si edhe për kapacitetet e Unionit që t’i zgjidhë dallimet ndërkombëtare në kufijtë e tij.

Në rezolutë, në vend të gjuhës maqedonase përdoret formulimi i përgjithshëm, “gjuhë zyrtare” e shtetit, por edhe në disa vende është përdorur mbiemri maqedonas për shënim të qeverisë ose autoriteteve të Maqedonisë.

Eurodeputetët grekë kanë parashtruar disa amandamente me të cilat kërkohet që në versionin final që kur të votohet nesër të fshihet mbiemri “maqedonase”, ndërsa eurodeputeti britanik Çarls Tanok me amandament të tij kërkon që gjuha maqedonase të kushtëzohet me emrin e saj, e jo me termin gjuhë “zyrtare” e shtetit.

Gjithsej janë parashtruar nëntë amandamente, dhe të gjitha u dedikohen emrit dhe përdorimit të mbiemrit maqedonas. Eurodeputetët grekë kërkuan të fshihet nga rezoluta pjesë në të cilën flitet për takimet midis kryeministrave të dy vendeve si ilustrim të vullnetit të mirë për gjetje të zgjidhjes për kontestin me emrin.

Raportuesi i përkohshëm i PE-së për Maqedoninë, Kristian Vigenin në deklaratën për mediet mospërdorimin e mbiemrit “maqedonase” e arsyeton me çështjen e pazgjidhur për emrin, si dhe me çështjet ende të hapura dhe të pazgjidhura me fqinjët, posaçërisht me Bullgarinë. Njëherësh, në rezolutë kërkohet të mbrohen monumentet kulturoro-historike bullgare në Maqedoni, si dhe të punojë në mësimin e përbashkët të historisë.

Në rezolutë bëhet fjalë edhe për lirinë e medieve, marrëdhëniet ndëretnike dhe situatën e brendshme politike. Eurodeputetët i urojnë qeverisë për “zbatimin efikas të Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim me BE-në”. Në dokument shfaqet shqetësim për shkak të problemeve të thella në dialogun politik dhe kulturën politike në Maqedoni. Partitë politike të opozitës ftohen “t’i japin fund bojkotit parlamentar dhe sërish të marrin pjesë në dialogun në kuadër të institucioneve”, duke i përkujtuar të gjitha partitë se “përgjegjësi e qeverisë dhe opozitës është të garantojë dialog urgjent dhe të hapur për të gjitha sfidat me të cilat vendi ballafaqohet”.

Eurodeputetët shprehin keqardhje edhe për shkak të shkallës së lartë të papunësisë tek të rinjtë, duke theksuar në nevojën për luftë më efikase kundër korrupsionit, si dhe reformën në sistemin gjyqësor.

SHPËRNDAJE