Libri i Vehbi Bjaramit nga Depca e Kradakut të Preshevës “Vizita ime në Tokën e Shenjtë” tregon se hebrenjtë dhe shqiptarët, që kanë përjetuar histori të përvuajtshme, janë aleatë që duhet të punojnë së bashku për një të ardhme të begatë dhe në paqe. Dy popuj të rrethuar, të vënë përballë sfidash, duhet të luftojnë krah për krah kundër atyre që duan t’i shkatërrojnë.
 
Beqir Sina
New-York, 1 prill  / AIK -Presheva Jonë

Libri i Vehbi Bajramit “Vizita ime në Tokën e Shenjtë” ka paketuar një sasi të madhe informacioni brenda një historie personale udhëtimit të një shqiptaro-amerikani që viziton Izraelin për herë të parë. Edhe pse nuk ka qenë më parë në shtetin hebre, Bajrami dëshmon një ndjeshmëri të madhe ndaj historisë, kulturës, politikës dhe sidomos feve të ndryshme të rajonit. Gjatë gjithë kohës, narrativa e tij përshkohet nga ndërgjegjësimi i pastër i një shqiptari që zbulon lidhje mes përvojave shqiptare dhe hebreje dhe përvijon paralele ndërmjet njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe Izraelit si dhe paraqet faktin e fuqishëm historik që Shqipëria, jo vetëm shpëtoi të gjithë popullatën e saj hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore, por ishte edhe i vetmi vend në Europë që pati më shumë hebrenj në tokën e saj në fund të luftës se sa në fillim të saj. Ky është një libër që buron mirëkuptim, tolerancë dhe është shumë tërheqës. Vehbi Bajrami u bën një përshkrim mbresëlënës lidhjeve të thella ndërmjet hebrenjve dhe shqiptarëve. Në këto faqe, ai përshkruan vlerat e përbashkëta të të dy popujve, duke nënvizuar besnikërinë, familjen dhe punën e palodhur. Si hebrenjë ashtu edhe shqiptarët kanë vuajtur tiraninë dhe shtypjen, gjë që i lidh historitë si dhe qëndrimet e tyre ndaj të ardhmes. Ky libër tregon se hebrenjtë dhe shqiptarët, që kanë përjetuar histori të përvuajtshme, janë aleatë që duhet të punojnë së bashku për një të ardhme të begatë dhe në paqe. Dy popuj të rrethuar, të vënë përballë sfidash, duhet të luftojnë krah për krah kundër atyre që duan t’i shkatërrojnë.

 

SHPËRNDAJE