Për dallim nga Hashim Thaçi që shpallte fitoren në objekte të menaxhuara nga biznesmenët, Albin Kurti më 6 tetor kishte përzgjedhur sheshin “Skënderbeu”.

Ka vlerë shumë të madhe për VV-në ky shesh, i cili gjendet përballë ndërtesës së parlamentit, qeverisë e presidencës. Aty është rritur Lëvizja Vetëvendosje, duke mbajtur dhjetëra protesta kundër “regjimit” të vjetër.

Por, diçka e çuditshme kishte rënë në sy në mbrëmjen e 6 tetorit të 2019-ës, në ditën kur nuk kërkohej nga aktivistët përballje me gazin lotsjellës të “regjimit”.

Në krahun e djathtë të Kurtit ishte shfaqur një njeri, i cili kurrë nuk është përballur me lotsjellësin dhe arrestimet që i kishin provuar mijëra aktivistë të VV-së. Ishte Haki Abazi. Kishte zënë vendin e Glauk Konjufcës, njeriut që e kishte kaluar në shesh një dekadë e gjysmë të jetës së tij. Konjufca rrinte i shpërfillur në krahun e majtë të Kurtit, në mbrëmjen e fitores së VV-së.

Kjo renditje njerëzish në mitingun e fitores ishte vlerësuar si e rastësishme nga shumëkush. Por, më vonë veprimet e Kurtit kishin treguar se ajo ishte e qëllimshme.

Haki Abazi me një numër modest votash mori pozitë më të rëndësishme se sa ata që kishin shënuar suksese të jashtëzakonshme në zgjedhje.

Insajderi ka analizuar 100 ditëshin e punës të secilit prej anëtarëve të kabinetit qeverisës.

Në dokumentet publike të Qeverisë Kurti nuk është evidentuar ndonjë vendim i rëndësishëm i Abazit. Nuk është evidentuar as ndonjë iniciativë e shtyrë përpara nga Abazi, e cila përmirëson jetën e qytetarëve.

Gjatë tërë 100 ditëshit, Abazi ka qenë në qendër të kritikave si person konfliktuoz e grindavec. Mbahet mend vetëm për aktivitete shantazhi, shpifje ndaj kundërshtarëve politikë e konspiracion.

Ka zhvilluar betejë frontale kundër LDK-së. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe më shumë se kontribut për VV-në ai ka humbur kohë duke dhënë sqarime për sulmet që ia kishte bërë kur nuk ishte pjesë e kësaj partie.

Abazi gjatë 100 ditëshit të tij kishte zhvilluar edhe një beteje tjetër publike. I ka shpallur luftë mediave që e kritikojnë Qeverinë Kurti. Raporte të mira ka mbajtur vetëm me një portal që udhëhiqet nga miqtë e tij, të cilët i kishte mbështetur financiarisht sa ishte drejtor i fondacionit “Rockfeller Brothers”. Ky portal ka raportuar në vazhdimësi edhe për humbjen e Hard Diskut të një prej mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë. Të njëjtin, gjurmim se çfarë ndodhi me Hard Diskun e bënte edhe Haki Abazi.

Lufta e Haki Abazit me LDK-në

Haki Abazi gjatë 100 ditëshit si zëvendës kryeministër ka zhvilluar betejë frontale me ish-partnerin qeverisës, posaqërisht me ish-zëvendës kryeministrin Avdullah Hoti.

Mbahet mend për shantazhin publik që i bëri Hotit.

“Thaçi dhe Mustafa po dalin të jenë antishtet, antikushtetutes, antikombëtar, antiamerikan dhe antievropian. Për Hotin flasim një ditë tjetër, kur kalon COVID-19”, pati shkruar Abazi më 26 mars të këtij viti. Pritej që ai të publikonte dëshmi për keqpërdorimet e bëra nga Hoti.

Nuk e bëri këtë. Në vend të dëshmive pati publikuar një varg konspiracionesh. Ia atribuonte LDK-së kontrollin mbi mafinë e ndërtimit, fliste për para të pista që vijnë nga Unioni, Terranova e Nënkalimi si dhe aludonte që Isa Mustafa ka dijeni për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

Këtë e bëri vetëm disa ditë pas prishjes së koalicionit me LDK-në. Deri atëherë kishte heshtur ndaj këtij krimi të madh. Në të njëjtin status, përpos shpifjeve kishte shkruar edhe fyerje për Hotin.

“Në karrierën time 20-vjeçare nëpër vende të ndryshme të botës nuk kam takuar njeri të këtillë. Mbështetës e përkrahës i Thaçit dhe servil si brisku, i paepur, që të trishton edhe në distancë”, kishte shkruar Abazi.

Hoti i ishte kundërpërgjigjur. Kishte zbuluar se ishte Abazi ai që kishte trokitur në dyert e LDK-së për t’u bërë pjesë e kësaj partie.

“Sa i lumtur jam që nuk e kemi pranuar në LDK më 2018, kur më vinte në zyre e kërkonte të futej në strukturat tona”, pati shkruar Hoti.

Rrëfim të ngjashëm me Hotin kishte publikuar edhe Agim Veliu. Abazi nuk i kishte mohuar përpjekjet e tij për t’u anëtarësuar në LDK.

Përkundër që kishte synuar të futej në LDK, Abazi nga pozicioni i anëtarit të VV-së ka goditur në vazhdimësi ish-partnerin qeverisës gjatë tërë 100 ditëshit të tij si zëvendëskryeministër.

LDK-ja ia kishte shprehur edhe Kurtit pakënaqësitë e saj me Abazin. Kurti nuk kishte marrë masa.

“Kryeministri është i rrethuar nga njerëz që të gjithë i shohin si armiq. Ata i krijuan paranoja se të gjjthë i ka armiq. Edhe zëvendëskryeministri hynë këtu”, pati pohuar shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

LDK-ja edhe më herët kishte qenë e njoftuar për qasjen paranojake e konspirative të Haki Abazit. Sulmet e tij kishin qenë të pritshme, kanë pohuar zyrtarët e LDK-së.

Kjo për shkak se Abazi kishte bërë famë të madhe në Kosovë si konspiracionit. Ka folur pa ndonjë dëshmi për vrasje të pasluftës.

Konspiracioni që i dha shumë famë ishte ai për vdekjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova. Kanceri nuk ishte arsyeja, sipas Abazit. Rugova ishte helmuar, pohonte Abazi duke mos ofruar ndonjë dëshmi për deklaratën e tij.

Po ashtu, Abazi kishte bërë famë në Kosovë edhe me diçka tjetër të çuditshme. Në shumicën e emisioneve ishte pyetur se a është mason. Përgjigja e tij kishte qenë: Jo.

Lufta e Haki Abazit me VV-në

Nuk janë vetëm grindjet me LDK-në që e përshkruajnë 100 ditëshin e zëvendës kryeministrit Haki Abazi. Ai ka pasur probleme edhe me vetë Vetëvendosjen, partinë që i takon.

Më shumë se sa në dhënien e kontributit për VV-në, Haki Abazi ka humbur kohë në dhënien e sqarimeve për sulmet e mëhershme të tij ndaj kësaj partie. Para tri vitesh kishte pohuar se vrasësit e Astrit Deharit gjenden brenda VV-së. Mediat kishin ripublikuar këtë deklaratë të tij, në momentin kur ishte emëruar zëvendëskryeministër.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte pohuar se Abazi duhet dhënë sqarime për këtë deklaratë. Abazi kishte dhënë sqarimin e tij.

“Shkrimi nuk ka të bëjë kurgja me Vetëvendosjen. Ka të bëjë me dy emra: me Frashër Krasniqin edhe Dardan Molliqajn në atë kohë, të cilët e kanë përdorë vrasjen e Astrit Deharit, për kredi politike për veti”, kishte thënë Abazi.

Megjithatë, gjatë këtij 100 ditëshit nuk ishte vetëm kjo deklaratë pika e ndjeshme që konfliktuon Abazin me njerëzit që kanë dhënë kontribut të madh për VV-në.

Polemika të brendshme kishte shkaktuar emërimi i tij si zëvendës kryeministër, i një njeriu që nuk ishte ndër më të votuarit në zgjedhjet e vitit të kaluar si dhe nuk kishte dhënë kurrfarë kontributi në protestat e VV-së.

Burimet e Insajderit brenda kësaj partie kanë treguar se Konjufca e të tjerët kanë shprehur pakënaqësi me vendimin e Kurtit për t’i dhënë pozitën numër 2 në Qeveri një njeriu që nuk ka dhënë kontribut për VV-në.

Po ashtu, edhe pretendimi i Abazit se ka kontakte të rëndësishme me ndërkombëtarët dhe tendenca e tij për të udhëhequr joformalisht politikën e jashtme ka nervozuar Glauk Konjufcën, ministrin zyrtar të Punëve të Jashtme.

Përpos me Konjufcën, zëvendëskryeministri ka edhe një konflikt të hapur me një anëtar tjetër të VV-së. Me Avni Zogianin.

Organiza “ÇOHU”, gjatë kohës kur udhëhiqej nga Zogiani kishte akuzuar Abazin për pastrim parash. Zogiani pretendonte se Abazi ka keqpërdorur për qëllime politike paratë e “Rockfeller Brothers”. Dyshja Abazi-Zogiani gjatë këtij 100 ditëshi kanë qenë të rezervuar ndaj njëri-tjetrit në deklarata publike. Beteja mes tyre mbetet ende pa fitues zyrtar.

Duke lënë pas këtë betejë pa fitues, Abazi gjatë këtij 100 ditëshi ka humbur  shumicën e betejeva të nisura nga ai si politikan konfliktuoz.

Ka humbur betejën për njollosjen e LDK-së e të Avdullah Hotit. Ka humbur betejën për të linçuar mediat që kritikojnë Kurtin. Ka humbur betejën për të anashkaluar Konjufcën, pasi që ka dështuar të bind Kurtin dhe VV-në se ka “kontaktet e tij ndërkombëtare”, e që janë garancë për ta mbajtur pushtetin.

Vetëm një betejë e ka fituar deri më tash. Ka shfrytëzuar vendimin e Albin Kurtit për shkarkimin e Hotit nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë. Ishte zëvendëskryeministër i dytë i Qeverisë Kurti, tash është pak më lartë në hierarki. Është zëvendëskryeministër i parë.

Menjëherë pas këtij vendimi, Abazi në shpejtësi lëvizi drejt vendosjës së tij në zyrën që deri para shkarkimit e shfrytëzonte Avdullah Hoti.

SHPËRNDAJE