Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi deklaroi se, partia të cilësi i takon ai do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të mbahen me 5 qershor të këtij viti.

“Vendimi për pjesëmarrje në zgjedhje u morr në mbledhjen e djeshme të Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim. Njëkohësisht, Kryesia qendrore formoi edhe Shtabin qendror zgjedhor i cili ka për obligim të bëjë përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme.”, deklaroi Ademi.

Ai tha se, kryesia qendrore ka biseduar edhe për programin zgjedhor të BDI-së, me ç’rast është vendosur që ky program të bazohet në shtyllat kryesore: Implementimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit, zhvillimi ekonomik i vendit, vazhdimi i reformave në shëndetësi, arsimi në të gjitha nivelet, ulja e varfërisë dhe ulja e papunësisë, proceset integruese duke inkuadruar këtu edhe zgjidhjen e kontestit të emrit të shtetit.

Kryesia Qendrore në mbledhjen e fundit diskutoi edhe rreth ndryshimit të Kodit zgjedhore, në pjesën që ka të bëjë me votimin e diasporës.

“BDI vlerëson se me mundësin që i krijohet qytetarëve të Maqedonisë që përkohësisht jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet parlamentare atyre u jepet mundësia e prezantimit të interesave të tyre dhe se do të kenë një zë në Parlamentin e Maqedonisë.

BDI duke vlerësuar kontributin e tyre dhe duke vlerësuar se uniteti i diasporës është shumë i rëndësishëm, apelon deri tek: “Liga civile Shqiptaro-Amerikane”, NAAC-u dhe Federata Panshqiptare në Amerikë “VATRA”, si dhe shoqatat dhe klubet në Europë dhe Australi në të cilat ata janë të organizuar që të bëjnë konsultimet dhe të propozojnë kandidat të mundshëm për deputet, kandidat i cili do të ketë përkrahjen e BDI-së në zgjedhjet e qershorit”, shtoi Ademi.

BDI vlerëson se rregullshmëria dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike është obligim i shtetit, prandaj ne si parti në pushtet do të angazhohemi që ky obligim edhe të plotësohet, ashtu siç edhe ka qenë gjithmonë kur BDI ka qenë në shumicën parlamentare./bs

SHPËRNDAJE