Zyrtare: Konfirmohen tre prurjet e reja të Kosovës për IslandënPër ndeshjen e pestë të kualifikueseve për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, përfaqësueses së Kosovës pritet t’i afrohen edhe tre lojtarë të rinj, ka konfirmuar përzgjedhësi i përfaqësueses Albert Bunjaki.

Fjala është për sulmuesin e Sheffield Wednesday, Atdhe Nuhiun, atë të Schalkes Donis Avdijaj dhe sulmuesin në top formë, Besart Berishën, i cili po shkruan historinë në Australi me Melbourne Victoryn.

Avdijaj, megjithatë ka qenë i grumbulluar me skuadrën përfaqësuese të Kosovës edhe për ndeshjen e fundit ndaj Turiqsë, mirëpo nuk ka pasur mundësi të paraqitet në atë ndeshje, për shkak të dokumentacionit, shkruan Insajderi.

“Jam shumë i lumtur që Berisha do të luajë për Kosovën. Ai është një sulmues i madh me një përvojë të madhe. Kjo do të na shërbej shumë”, ka thënë trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki për Express.

“Pres që Donis Avdijaj dhe Atdhe Nuhiu të plotësojnë të gjithë dokumentacionin dhe të jenë gati ndaj Islandës. Po ashtu, shpresoj që Loret Sadiku do të marrë leje nga FIFA që ta përfaqësojë Kosovën”, shtoi më tej Bunjaki.

Përfaqësuesja e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje në fund të muajit mars, miqësore me Kombëtaren e Kamerunit dhe për kualifikimet e Botërorit “Rusia 2018” me Islandën.

Kosova gjendet e fundit në Grupin I me vetëm një pikë, që e mori në ndeshjen e parë ndaj Finlandës pas barazimit 1:1, ku Valon Berisha shënoi golin e parë dhe historik për vendin tonë.

Tre ndeshjet tjera me radhë, Kosova pësoi po kaq humbje, duke pranuar 11 gola dhe mos shënuar asnjë.

SHPËRNDAJE