Süddeutsche Zeitung: Serbia po mësohet me shijen e barit si dikur Shqipëria!

Gazeta gjermane “Zydojçe Cajtung” botoi ditët e fundit një shkrim të shkrimtares dhe të gazetares së njohur kroate Sllavenka Drakuliç, me titull “Shija e barit”, në të cilin, midis të tjerave, thuhet se “ndërsa Kroacia tanimë po bën hapat e fundit drejt BE-së, Serbia duket se po izolohet gjithnjë e më shumë”. Shkrimi në fjalë fillon me shpjegimin “etimolog” të shprehjes “të hamë bar” që, në fakt, sikurse thekson autorja e tekstit të lartpërmendur, është shpikur dhe është huazuar nga ish-diktatori shqiptar Enver Hoxha, i cili, në një rast, kishte thënë shprehjen proverbiale: “Nëse duhet, edhe bar do të hamë”, që në rrafshin politik do të thotë insistimi i një regjimi te kursi i vet politik, qoftë edhe duke paguar me çmimin e izolimit të vendit dhe duke sakrifikuar standardin e jetesës së qytetarëve të vet. “Duket se Serbia po mësohet me shijen e barit”, thekson znj. Drakuliç, duke iu referuar deklaratës së fundit të Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, se “Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si një shtet të pavarur”, ndërsa vinte në dukje se “shpresat që Perëndimi kishte vënë tek ai, Tadiçi i zhgënjeu, duke i kthyer atij hapur kurrizin. Vetëm se mbetet pyetja se çfarë fitoi ai me këtë rast”, thekson autorja kroate në shkrimin e saj të botuar në gazetën e njohur të Munihut, duke vazhduar më tej: “Kur nacionalizmi fillon menjëherë të mbizotërojë gjetkë, mund të jemi të sigurt se po afrohen zgjedhjet, pavarësisht se ku, në Serbi, Kroaci, Belgjikë, Hungari ose Kroaci. Madje edhe në Kroaci, ku të dielën e kaluar rreth dy të tretat e pjesëmarrësve në referendum u shprehën në favor të anëtarësimit të saj në BE, partia konservatore, HDZ, që ishte në pushtet deri para zgjedhjeve parlamentare të fundit, në dhjetor të vitit të kaluar iu kthye nacionalizmit të vjetër agresiv të kohës së Tugjmanit që për gati dhjetë vjet ishte dominues në Kroaci. Rezultatet e referendumit në Kroaci, sigurisht që të gëzojnë, por as nga larg nuk duhet të mendohet se nacionalizmi në Ballkan është vënë me shpatulla në tokë. Për këtë arsye, retorika nacionaliste në Serbi duhet të merret seriozisht në konsideratë. Atje situata është ndryshe nga ajo në Kroaci, ku tonet nacionaliste mund të interpretohen si një thirrje e fundit dëshpëruese e kundërshtarëve të mundur të Europës. Në Serbi, ku këtë vit do të zhvillohen si zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe ato presidenciale, kthesa më e fundit e Tadiçit përbën një shenjë mjaft domethënëse. Shumë serbë refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që anketat dhe sondazhet më të fundit tregojnë për një rejting të mirë të ultranacionalistit Tome Nikoliç”, thekson znj. Drakuliç në shkrimin e saj. Duke vazhduar më tej, publicistja e njohur kroate shtron pyetjen nëse Serbia do të bëhet si dikur Shqipëria e izoluar nga bota, ndërsa thekson se Serbia ka marrëdhënie të mira me Rusinë, tek e cila, në rastin e një izolimi eventual, ajo do të mund të shpresonte te ndihma e “vëllezërve sllavë” që, me siguri, nuk do ta jepnin këtë ndihmë vetëm mbi bazën e bamirësisë ose bujarisë ruse, por edhe me qëllimin që Moska të forcojë ndikimin e saj në Europën Juglindore. “Sllovenia tanimë është anëtare e BE-së, Kroacia e ka futur njërën këmbë atje, kurse Mali i Zi shumë shpejt do të fillojë bisedimet e anëtarësimit, madje edhe Maqedonia ka shanse më të mira për anëtarësim në BE sesa Serbia, në rast se Beogradi do të vazhdojë të mos tregohet i gatshëm për zgjidhjen e problemit kosovar. Dhe, në fund, vjen Bosnja dhe Hercegovina, megjithëse ajo nuk funksionon si një shtet i vetëm, ndërkohë që de fakto vetëm një pjesë e saj, Republika Srpska, funksionon si një shtet më vete”, vë në dukje gazetarja dhe shkrimtarja e lartpërmendur kroate, duke konkluduar në fund se “territoret e ish-Jugosllavisë edhe sot, kaq vite pas mbarimit të luftërave, janë vatra potenciale trazirash në Europë. Nga ana tjetër, retorika nacionaliste ndërkohë në atë vend ka filluar t’u shërbejë qëllimeve kryesisht të politikës së brendshme dhe nuk është aspak e qëndrueshme ashtu sikurse duket nga jashtë. Në rastin e Serbisë del se ideja e “fjalimit të ri” të Xhorxh Oruellit vazhdon të jetë ende reale. Kështu ka qenë në kohën e Titos, edhe gjatë kohës së Millosheviçit dhe kështu vazhdon edhe tani, kështu që kur Boris Tadiçi thotë se “‘kurrë’ nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, kjo kurrë, në fakt, nuk do të thotë detyrimisht kurrë!”.(SHQIP)

SHPËRNDAJE