Prokuroria e Kantonit të Solothurnit ka nisur hetime ndaj Azem Sylës, pasi sigurimi invalidor zviceran ka ngritur padi kundër tij për mashtrim ndaj shtetit zviceran. Ditë më parë, rasti i Sylës ishte ngritur edhe në Parlamentin Europian. Eurodeputetja Ulrike Lunacek kishte kërkuar nga Kryeparlamentari Krasniqi që t’ia kërkojë dorëheqjen deputetit Syla.

 

Çështja e mashtrimit që Azem Syla ka bërë ndaj shtetit të Zvicrës, ka kaluar në një nivel më të lartë. Prokuroria zvicerane, më saktësisht ajo e kantonit Solothurn, ka filluar hetimet kundër deputetit kosovar, Azem Syla.

Pasi sigurimi invalidor i Zvicrës ka dorëzuar padi për Sylën, rasti i tij tash ka kaluar në një nivel më të lartë. Me të prej tash do të merret vetë prokuroria e shtetin zviceran. Kështu i kanë thënë Expressit disa burime nga Zvicra.

Hetimet për Sylën kanë filluar, pak pasi është ngritur zyrtarisht padia për mashtrim kundër tij. Prokurori i rastit, Felix Bänziger në kohën kur është ngritur padia pati thënë se padia është bërë për veprën kriminale të Sylës, i cili sistematikisht ka mashtruar shtetin e Zvicrës, dhe ai mund të detyrohet t’i kthejë paratë.

Por edhe para se të nisin zyrtarisht hetimet ndaj Sylës, ministri i Brendshëm zviceran, Alain Berset, pati paralajmëruar për një hetim të mundshëm. Kjo pasi sipas tij, hetim i detajuar do të nisë, sepse rasti është i ndjeshëm dhe ka të bëjë me një mashtrim disavjeçar të sistemit të përkujdesjes sociale.

Express është munduar të kontaktojë me Prokurorinë e kantonit Solothurn, aty ku kanë filluar hetimet, por diçka e tillë ka qenë e pamundur, për shkak se gjatë vikendeve nuk punohet. Mediat zvicerane flasin për shumën prej 426 mijë frangave që supozohet se Syla ka përfituar për disa vjet në mënyrë të paligjshme.

Pagesat janë ndalur në shkurt të vitit 2011 dhe Sylës i është kërkuar të kthejë mbrapa 191 mijë franga, por kjo mund të jetë e vështirë për shkak të sistemit të komplikuar të pagesave dhe që në masë të madhe varet nga sigurimet e kantonit Solothurn.

Gjykata Administrative e kantonit, në muajin shkurt të këtij viti ka vendosur për dëbimin e Sylës deri më 15 maj 2012 nga shteti i Zvicrës. Por, vetë deputeti kosovar, Syla ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Federale.

Debat rreth çështjes Syla nuk është zhvilluar vetëm brenda institucioneve të drejtësisë, por edhe në publik. Madje para një jave rreth deputetit kosovar pati debatuar edhe parlamenti i Zvicrës, pas një kërkese që ka bërë deputeti Walter Wobman. E pos parlamentit të Zvicrës, edhe eurodeputetja Ulrike Lunacek ka kërkuar dorëheqjen e deputetit Syla.

Këtë kërkesë ai e ka bërë te kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë një takimi në Strasburg. Dorëheqjen ajo e ka kërkuar me arsyetimin se Syla po e dëmton imazhin e Kosovës. (Express)

SHPËRNDAJE