Zvicra jep 8 milion franga për Kosovën

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje me Konfederatën Zvicerane për mbështetjen e disa projekteve në sektorin publik, përkatësisht në ndërmarrjet e ujësjellësit në rajonin e Gjilanit dhe të Ferizajt. Projekti përfshinë një vlerë me afër 8 milionë franga zvicerane, që do të shfrytëzohen për rregullimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e menaxhimit të këtyre ndërmarrjeve.

Marrëveshja është nënshkruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Lukas Beglinger.

Me këtë rast ministri Beqaj ka thënë se angazhimi i shtetit zviceran ka qenë i pakontestueshëm që nga viti 2000 dhe tash ky projekt për ngritjen e kapaciteteve të ujësjellësit të komunës së Ferizajt dhe të Gjilanit është një investim kapital, i cili mundëson një infrastrukturë më të mirë dhe një sistem të menaxhimit më të mirë të këtyre kompanive.

Për më tepër ai ka shtuar se synim e qëllim është që këto mjete të ndara nga shteti zviceran të shfrytëzohen në të mirë të qytetarëve dhe u ka bërë thirrje kompanive menaxhuese që t’i shfrytëzojnë këto mjete sa më mirë.

Nga ana tjetër, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Lukas Beglinger ka thënë qeveria zvicerane ka ndihmuar këtë fushë që një kohë të gjatë dhe në këtë rast ka falënderuar edhe institucionet e vendit për gatishmërinë për të implementuar këtë projekt.

Ndryshe buxheti i përgjithshëm i projektit është 8.4 milionë franga zvicerane dhe përbëhet nga kontributi zviceran në vlerë prej 7 milionë franga, pjesa tjetër nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në vlerë prej 740.000 mijë euro, kurse komuna e Ferizajt ka participuar me 220.000 euro dhe ajo e Gjilanit me 80.000 euro


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni