Në ndeshjen finale të Evropianit 2011 për kombëtaret e futbollistëve të rinj të moshës derri në 21, Zvicra e pesë shqiptarëve nuk ia doli të marrë kupën e fituesit pasi humbi nga Spanja me rezultatin 0:2. 

Të rinjtë spanjollë treguan se Spanja nuk duhet të frikësohet për të ardhmen e futbollit të saj. Në ndeshjen e mbrëmshme me Zvicrën futbollistët e Spanjës patën dominim në posedim të topit dhe arritën të konkretizojnë dy raste, nëpërmjet Herreras, në minutën e 41-të, dhe Alcantaras në minutën 81. Në që të dy rastet golat e shënuar ishin ekskluzivisht faj i mosreagimit të duhur të mbrojtësve zviceranë, ndërsa te goli i dytë faji i portierit zviceran ishte më se evident. Ai mori gol nga një gjuajtje e lirë në distancë prej afro 40 merash. 

Në ndeshjen e mbrëmshme në Kombëtaren e Zvicrës u paraqitën të pesë shqiptarët.

Xherdan Shaqiri, i cili ishte më i miri, por që ruhej shumë mirë nga disa futbollistë spanjollë, dhe Admir Mehmedi (golashënues i trefishtë në këtë Evropian që u luajt në Danimarkë) luajtën gjatë tërë lojës, Granit Xhaka luajti në formacionin startues deri në minutën 68, kur u zëvendësua nga Pajtim Kasami, ndërsa Amir Abrashi u inkuadrua në lojë nga minuta 54. (Koha.net)

SHPËRNDAJE