Duke u nisur nga parimi se kultura i lidhë popujt dhe shmang paragjykimet, shteti i Belgjikës dhe Zvicrës ishte nikoqir i manifestimeve kulturore, të cilat do të zgjasin deri me datën 14 dhjetor.
Në Bruksel, me datë 9 dhe 10 dhjetor, u bë hapja e manifestimit kulturorë, “Ditët e kulturës së Kosovës në Diasporë, të cilin Ministria e Diasporës e organizoi në bashkëpunim me Ambasadat e Republikës së Kosovës në Belgjikë dhe Bernë.
Manifestimin e ndoqën një numër i madh i mërgimtarëve tanë në Belgjikë. Hapja solemne filloi me ekspozitën me fotografi, të autorit Asllan Krasniqi. Po ashtu, para të pranishmëve ekspozoi pikturat edhe autori Abdylkader Pagarusha si dhe ekspozitat e tyre patën rastin t’i paraqesin edhe autorë të tjerë kosovarë.
Në kuadër të manifestimit “Ditët e kulturës së Kosovës në diasporë”, të pranishmit, gjatë natës së parë në Bruksel, patën mundësinë të ndjekin edhe filmat dokumentar “Tre hapat e fundit”, në regji të Orhan Kerkezit, “Ëndërr e keqe, ëndërr e mirë”, me regji të Fadil Hysajt. Ndërsa, nata e dytë në Bruksel, ishte e rezervuar për filmat dokumentar “Golgota e Llapit”, me regji të Bardhyl Bekteshit, “Ikona e lotëve”, me regji të Ilir Kabashit, ndërsa mërgimtarët e pranishëm patën mundësi të ndjekin edhe performancën e ansamblit “Shota”, nga Kosova si dhe koncertin ansamblit internacional “Sheki Bend”.
Në mesin e të pranishmëve që e ndoqën këtë manifestim ishin edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Ilir Dugolli dhe eurodeputetja, mike e shqiptarëve, Maria Lin.
Nata e parë në Zvicër, në kuadër të manifestimit “Ditët e kulturës së Kosovës në diasporë” nisi me vallet e ansamblit “Shota” në Winterthur. Për përformancën e këtij ansambli u përkujdes koreografi Sylejman Shala. Pjesëmarrës ishin edhe ambasadorët e Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë, ndërsa të pranishmit në emër të ministrit të Ministrisë së Diasporës, Ibrahim Makolli, i përshëndeti këshilltari Adem Zhitopotoku. “Angazhimi i ministrit Makolli është që përmes Ministrisë së Diasporës të krijoj politika që do të avancojnë kujdesin institucional ndaj diasporës tonë, që do të ndikojnë në ruajtjen gjuhës përmes organizimit të mësimit plotësues në gjuhën amtare, si dhe të ruajnë traditat përmes organizimeve të ndryshme kulturore”, tha ndër të tjera ai.

Në kuadër të këtij organizimi u potencua edhe rëndësia e procesit të liberalizimit të vizave dhe nevoja për sensibilizimin e opinionit lidhur me rëndësinë e këtij procesi, pasi që Republika e Kosovës pritet që së shpejti ta marr udhërrëfyesin nga Bashkimi Evropian.
Manifestimi vazhdoi me interpretimin e SHKA “Dardania”, e cila para publikut u paraqit me valle dhe këngë burimore, në koreografi të Nezir Hysenit.
Rrjedha e manifestimit “Ditët e kulturës së Kosovës në diasporë” vazhdoi me mbajtjen e orës letrare, në bibliotekën Pestaloci, në Cyrih. Të pranishmëve, në emër të Ministrisë së Diasporës, iu drejtua Mustafë Xhemaili, i cili e potencoi rëndësinë e organizimeve të tillë për kultivimin e kulturës dhe ruajtjen e identitetit kombëtar. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga ambasada e ambasada e Kosovës në Bernë. Mbrëmja u begatua me monodramën e Mentor Zymberajt, “Ëndrra e fundit”, ndërsa ansambli internacional Sheki Bend, mbajti koncertin nën udhëheqjen e kompozitorit Shefqet Hoxha.
Gjithashtu, manifestimet do të mbahen edhe në qytete të tjera të Zvicrës, respektivisht në Shlieren dhe Gjenevë në datat 13 dhe 14 dhjetor, 2011. (B.S.)

SHPËRNDAJE