“Në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për implementimin e vlerave euro-atlantike dhe për tema tjera me interes të përbashkët. Kryeministri Thaçi në takimin e sotëm që u mbajt në Bruksel e ka njoftuar Sekretaren Klinton për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, si dhe ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës në dialogun teknik në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet ne një njoftim te Zyrës se Kryeministrit.

“Gjatë dialogut teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka pasur një qasje me vlera euroatlantike, duke dëshmuar edhe njëherë se Kosova është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon. Kosova ka ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe gjithashtu kemi dëshmuar vullnetin e mirë për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete të pavarura”, theksoi kryeministri Thaçi.

Kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Clinton ka theksuar se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë në proces të ndërmarrjes së reformave të thella ne fushën e legjislacionit të ndërlidhur me integrimet euroatlantike, me reformën elektorale, legjislacionit përkatës për sundimin e ligjit, qeverisjes së mire, si dhe të zhvillimit ekonomik.

Nga ana e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka vlerësuar lartë rolin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të implementuar reformat institucionale në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Me theks të veçantë, Sekretarja e Shtetit, Clinton ka vlerësuar lartë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, dhe ka shtuar se ky përkushtim dëshmon vizionin euroatlantik të institucioneve kosovare.

Sekretarja e Shtetit, Clinton gjatë takimit të sotëm në Bruksel i ka ritheksuar kryeministrit Thaçi mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së SHBA-ve për Qeverinë e Kosovës në rrugën e saj për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe të kushtetutshmërisë në tërë territorin e Kosovës.

Në këtë takim është diskutuar edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërsa edhe në këtë fushë sekretarja amerikane e shtetit ka ofruar mbështetje, duke e bërë të qartë se Kosova nuk mund të mbetet e izoluar.

Thaçi takohet me Clinton

Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi do të takohet nesër me sekretaren e jashtme të shtetit, Hillary Clinton, kanë thënë burime të Gazetës Express.

Sipas burimit, shefja e diplomacisë amerikane po qëndron në kryeqytetin evropian në samitin e Aleancës Veriatlantike NATO, përderisa me Thaçin pritet që të diskutohet për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe agjendën evropiane të Kosovës.

Po ashtu, Thaçi pritet që nesër të takohet edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton.

Burimet e gazetës Express thonë se në takimin që kryeministri do të zhvillojë me Ashton do të flitet më shumë për përpjekjet e Kosovës që të nisë negociatat për procesin e liberalizimin të vizave me vendet evropiane.

SHPËRNDAJE