Intervistë ekskluzive e yllit francez, rreth futbollit shqiptar dhe atij kosovar

 


Në Gjenevë, Zinedin Zidan është ambasador i parë i OKB-së në fushatën kundër varfërisë, ai ka ndihmuar Shqipërinë me një milion franga… “Tani pas çlirimit të Kosovës, shqiptarët kanë mundësi të kenë sportin dhe futbollin me standarde botërore…”, ka deklaruar ylli i futbollit botëror, Zinedin Zidan, për gazetën “Shqip” dhe agjemncinë informative kombëtare “Presheva Jonë”

( Në foto: Zenedin Zidan me gazetarin e “Shqip” dhe  agjencisë informative kombëtare “Presheva Jonë“)

 

 

Nga projektet tuaja kemi kuptuar se keni pasur edhe aksione për të ndihmuar popullatën shqiptare. E zgjodhët Shqipërinë rastësisht apo ju shtyu diçka konkrete për ta ndihmuar?

 

Po, për të ndihmuar Shqipërinë, sigurisht ishte një vendim i përbashkët me miqtë, bashkëpunëtorët dhe me ekipin tim në kuadër të projektit në “Fushatën kundër varfërisë” në botë. Këtë fushatë e patëm përgatitur së bashku me kolegun tim brazilian Ronaldo, i cili, atë kohë ishte i angazhuar për Kosovën e unë për Shqipërinë. Ish-ylli i futbollit Ronaldo, asokohe sulmues i Interit dhe i Brazilit, vizitoi Kosovën, respektivisht Gjakovën, për të ndihmuar shkollën shqipe të këtij qyteti në përgjigje të fushatës së përgjithshme kundër varfërisë të udhëhequr nga programi i zhvillimit të OKB-së (PNUD). Shqipëria di që është vendi më i varfër në Europë dhe po vazhdon të vuajë nga varfëria. Kjo ishte arsyeja jonë në misionin për të ndihmuar arsimin shqiptar dhe të fëmijëve të të gjithë rajonit, si pjesë e Europës. Ishte një projekt tejet serioz për të ndihmuar një shkollë në gjuhën shqipe.

 

 

Zoti Zidan, ju që jeni futbollist i njohur, nuk do të thotë se merreni vetëm me sport dhe sigurisht njihni edhe politikën, zhvillimet në botë. Keni dëgjuar për Kosovën dhe shqiptarët?

 

Sigurisht që po, kush është ai që nuk e njeh sot Kosovën, e cila këto vitet e fundit ishte në epiqendër të mediave botërore, pasi regjimi serb ushtronte një terror të paparë kundër popullatës civile të pambrojtur në rajon. Sot, falë komunitetit ndërkombëtar, shqiptarët e Kosovës jetojnë të çliruar, të padiskriminuar, pa dhunë, pa spastrime etnike, pa brenga. Pra në liri, demokraci dhe në pavarësinë e tyre.

 

Z. ambasador, a mund t’i përshkruani përshtypjet tuaja nga kontaktet e para me shqiptarët?

 

Para ca vitesh kishim një ndeshje të përbashkët futbollistike kundër një skuadre shqiptare. Disa prej futbollistëve shqiptarë më lanë përshtypje të madhe, sepse kishin sens dhe teknikë në futboll. Ky ishte kontakti im i parë me shqiptarët, që të njihesha më nga afër me mentalitetin dhe kulturën e tyre, me të cilët kishim shumë pika të përbashkëta. Para së gjithash, tek ata vërejta dashurinë dhe vullnetin për sport, sidomos për futboll. Karakteristikë është se ushtrimet e para të futbollit i bënin në terrene të larmishme, duke mos e zgjedhur atë, madje edhe në rrugë, në lokalitete të ndryshme, livadhe e gjetiu… gjë kjo krejt normale për ta përvetësuar mirë futbollin, para se të dilet në fusha e terrene të përshtatshme e profesionale. Kështu e kam filluar edhe unë. Mendoj se perspektiva e një sporti, sado që të jesh i aftë e i shkathët, varet edhe nga kushtet dhe zhvillimi ekonomik e shoqëror i atij vendi. Fatkeqësisht në Shqipëri, këto kushte ende mungojnë. Kjo bën që të mos kemi një sport apo futboll të mirëfilltë, përkundër talenteve dhe shkathtësive të të rinjve shqiptarë si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë. Kjo dëshmohet nga vetë fakti, se shumë të rinj shqiptarë, kur dalin jashtë vendit tuaj, e dëshmojnë veten si në sporte të tjera, po ashtu edhe në futboll, duke bërë emër në çdo fushë, përfshi këtu edhe boks, karate etj…

 

 

Pohuat se Kosova, pas një lufte të tmerrshme, sot gjendet e lirë. A janë gjasat tani që Kosova të ketë mundësi për avancimin e futbollit dhe disiplina të tjera sportive në arenën ndërkombëtare?

 

Natyrisht, kjo që thatë është diçka normale, pasi njeriu në liri vepron më lirshëm. E kam fjalën, ai nuk është më i diskriminuar apo i ndjekur nga asnjë regjim. Në shumë mjedise botërore, ku nuk mungon paqja dhe liria, nuk mund të gjesh ndonjë sportist profesionist apo siç themi ne, me emër. Do të thotë se aty ku ka dashuri dhe vullnet ndaj sportit, padyshim ka edhe rezultate dhe suksese për një sport apo futboll të shkëlqyeshëm… Pra, mbesim me shpresë se tani pas çlirimit të Kosovës dhe rrëzimit të diktaturës në Shqipëri, do të kenë sporte dhe futboll më të përsosur, me standarde botërore, duke formuar kështu ekspertët e tyre të futbollit, që nesër të luajnë në stadiumet botërore me ekipe të mëdha, pse jo edhe për t’i bërë konkurrencë Juventusit, Mançesterit, Real Madridit… apo ekipeve të tjera të njohura botërore.

SHPËRNDAJE