Lëvizja Qytetare Zgjohu! përmes një kumtese ka reaguar duke shtuar “se është e shokuar nga ofendimet skandaloze të deklaruara në lajmet e sotme në TV Kanal 5 (2 maj 2011) nga ana e Ivan Babanovski, i cili tha se në Maqedoni funksionojnë 4 celula të Al Kaedës të cilat mund të aktivizohen në çdo moment, ndërsa pjesë e këtij rrjeti është organizata ZGJOHU! për të cilën Babanovski thotë se është e formuar nga rrjeti i Bin Ladenit.

ZGJOHU! absolutisht i hedh poshtë këto gënjeshtra të kulluara për të cilat Babanovski do të përgjigjet para gjykatës kompetente dhe mendon se kjo fushatë kundër shoqatës joqeveritare më të madhe dhe më aktive Shqiptare është pjesë e strategjisë së vazhdueshme për përndjekjen e aktivistëve Shqiptarë. Përpjekjet për të lidhur popullin Shqiptar dhe përfaqësuesit e tij me radikalizmin fetar paraqesin betejë të personave të dëshpëruar e cila është humbur që moti.

Toleranca fetare e popullit shqiptar është prodhimi jonë më i bindshëm dhe më unik shoqëror i cili duhet të shërbejë si shembull në tërë botën dhe të paraqesë mënyrë për ndërtimin e urave ndërmjet besimeve dhe shoqërive të ndryshme. Populli Shqiptar është aleati më i madh i ShBA në tërë rajonin dhe në Evropë duke e përfshirë edhe betejën e përbashkët në luftën kundër terrorizmit.

ZGJOHU! lufton për të drejtat e Shqiptarëve në Maqedoni dhe ka vetëm karakter nacional, pa kurrfarë tiparesh fetare, pa veprime fetare ose pa lidhje me çfarëdo organizate fetare qoftë vendore apo të huaj. Kjo shpifje dhe satanizim i Shqiptarëve është e papranueshme dhe ka për qëllim të nxihen Shqiptarët të cilët i kërkojnë dhe e dinë si ti realizojnë të drejtat e veta. ZGJOHU! ka marrëdhënie të përkryera me tërë bashkësinë ndërkombëtare në Maqedoni, Brukselin dhe Vashingtonin të cilët më së miri e dinë se për çfarë përpiqet ZGJOHU! Dhe prandaj ju porosisim të gjithë mercenarëve që përpiqen të nxijnë Shqiptarët se e kanë kot.

ZGJOHU! është partner i bashkësisë ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit dhe kundër keqpërdorimit të fesë për qëllime politike siç është rasti në Maqedoni me qëllim të nxitjes së përçarjeve ndërfetare dhe ndëretnike mes shoqërive të ndryshme”, thuhet në reagimin e Lëvizjes ZGJOHU!

SHPËRNDAJE