Projekti i Bashës, nga pastrimi tek beteja antikorrupsion. Ndërtimet vetëm në funksion të planit rregullues i cili pritet të miratohet brenda një vitit. Deri atëherë, do të vendoset një moratorium për ndalimin e tyre

Me nisjen zyrtarisht të punës në krye të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha do të vërë në jetë platformën e tij ambicioze për ndryshimin e kryeqytetit. Në kuadër të zbatimit të projektit të Tiranës europiane, brenda vitit të parë të mandatit të Bashës do të nisin punimet për ndërtimin e tramvajit. Bashkia do të vejë në jetë planin e Bashës, i cili u garanton qytetarëve lehtësimin dhe zgjidhjen e kaosit të trafikut dhe lëvizjen e lehtë, të shpejtë e të sigurtë të këmbësorëve e automjeteve në të gjithë qytetin.

Unaza e Madhe dhe tramvaji, zgjidhja përfundimtare e trafikut

Bashkia do të ndërtojë Unazën e Madhe dhe një sistem të ri tramvaji për kryeqytetin, duke e bërë më të shpejtë dhe më komod transportin publik. Paralelisht me Unazën e Madhe do të nisë puna për të gjithë sistemin kapilar të rrugëve, rrugët kryesore, rrugët sekondare, vendparkimet, rrjetin këmbësor apo të biçikletave, por edhe rrjetin e transportit publik të Tiranës. Qytetarët do të ecin në rrugë e trotuare më cilësore të rehabilituar me anë të angazhimit të Bashkisë, do të çlirohen trotuaret nga zëniet abuzive. Njëkohësisht do të përmirësohen drejtimet e qarkullimit të mjeteve dhe do të eliminohen të gjitha pikat ku sot krijohen bllokime të trafikut, përmes një menaxhimi të zhdërvjelltë, mbështetur edhe në sistemet moderne të monitorimit me kamera. Qytetarët e Tiranës do të shpëtojnë nga problemi i transportit, sepse në programin e saj të plotë e afatgjatë, Bashkia do t’i japë zgjidhje tërësore problemit të transportit përmes investimeve masive në hapjen e akseve të reja rrugore të qytetit e të pikave hyrëse e dalëse të tij, si dhe lidhjen e lehtë e funksionale të akseve rrugore parësore me ato dytësore, përdorimin e mbikalimeve e nënkalimeve, si dhe të parkimeve nëntokësore, ngritjen e një sistemi qarkullimi e të menaxhimit të trafikut të monitoruar online dhe të një sistemi modern të sinjalistikës. Ndërtimi i Unazës së Madhe dhe i sistemit të ri të tramvajit janë veprat më madhore që Basha është i vendosur t’i përfundojë brenda këtij mandati. Rrjeti rrugor i brendshëm në zona të ndryshme të qytetit do të rehabilitohet e mirëmbahet, duke u dhënë rëndësi trotuareve, korsive për transportin urban dhe biçikletave krahas përshtatjes së tij për nevojat e individëve me aftësi të kufizuara. Qytetarët do të kenë mundësinë e lëvizjes komode me anë të linjave moderne të transportit urban dhe fëmijët, të moshuarit dhe shtresat në nevojë do të udhëtojnë falas.

Hipotekat brenda vitit

Brenda këtij viti, Bashkia e Tiranës do t’i japë zgjidhje të gjitha pallateve që janë të pahipotekuara. Nën kujdesin e Bashës, Bashkia do të liberalizojë procedurat që duhet të përmbushin firmat e ndërtimit për të pajisur qytetarët me hipoteka. Bashkia me një sistem të shpejtë, në një kohë fare të shkurtër, do të shqyrtojë të gjitha rastet e pallateve të pahipotekuara. Bashkia do të zhbllokojë të gjitha rastet që nuk kanë asnjë problem ligjor, apo gjyqësor, për të marrë hipotekat. Do të rishikohen me shpejtësi të gjitha lejet e ndërtimit. Do të mënjanohet menjëherë problemi i atyre që nuk kanë devijuar nga projekti. Do të jepet leje ndërtimi e kushtëzuar për ato pjesë që nuk janë në përputhje me projektin. Nga përllogaritjet e para 800 milionë euro është vlera e shtëpive që kanë në pronësi qytetarët, shumë që është e ngrirë për mungesë të hipotekave. Këto para mund të përdoren për një kredi, për një investim. Janë 800 milionë euro që futen në qarkullim. Tirana nuk e ka këtë luks, që të mos i fusë në qarkullim këto para. Kjo i shërben punësimit, që është problemi kryesor që ka qyteti.

Ndëshkim për shkelësit e normave të sigurisë ndërtimore

Në katër vitet e ardhshme, kryebashkiaku i ardhshëm angazhohet që, qytetarët e Tiranës të jetojnë e banojnë në ndërtesa të sigurta, cilësore dhe të përshtatshme për jetesë dhe aktivitete sociale, apo biznes. Ndërtesat do të jenë në harmoni me mjedisin dhe eficente në konsumin e energjisë. Për këtë qëllim, Bashkia do të forcojë dhe aktivizojë sistemin e mbikëqyrjes dhe inspektimit të punimeve ndërtimore. Brenda një periudhe 1-vjeçare do të sigurojë informacionin e duhur për sigurinë e objekteve të banimit nga pikëpamja (i) konstruktive dhe infrastrukturore dhe mbi këtë bazë do të hartohet një program masiv rikuperimi. Bashkia synon që, me një bashkëpunim të ngushtë me çdo minibashki të ndërtojë një bazë të dhënash, situatën dhe përmes një programi special të imponojë ndaj ndërtimeve në proces, standardet e sigurisë në këto objekte. Ndërtimet e reja do të kryhen vetëm, duke respektuar standardet dhe do të mbahen të dhëna për performancën e ndërtuesve e do të ndëshkohen shkelësit e këtyre normave të sigurisë ndërtimore. Bashkia do të ndërtojë një program të veçantë të promovimit të normave dhe standardeve të sigurisë në ndërtim, duke motivuar praktikat më të mira, si dhe duke stimuluar bashkëpunimin me komunitetin në këtë drejtim. Ndërtimet në Tiranë do të zhvillohen bazuar në planin e përgjithshëm dhe në një sistem transparent, të drejtë e të thjeshtë të lejeve të ndërtimit.

Moratoriumi për ndalimin e lejeve të ndërtimit

Bashkia e Tiranës do të vendosë një moratorium të plotë dhe s’do të japë leje ndërtimi për 12 muaj, periudhë kjo që korrespondon me përfundimin e planit urbanistik. Lejet e ndërtimit, pas bërjes së planit urbanistik të Tiranës, do të jepen brenda 30 ditëve me formulën One-Stop-Shop. Konkretisht në 12 muajt e parë do të përfundojë plani urbanistik dhe më pas lejet do të jepen brenda 30 ditëve.

7 pikat kryesore të planit të ri rregullues

Synimet e tij për zhvillimin e Tiranës, Basha i mbështet mbi planin e përgjithshëm hapësinor që do të hartohet brenda 12 muajve të parë të mandatit të tij, me shpejtësi për ta bërë Tiranën si qytet të shanseve dhe mundësive për një jetë cilësore për të gjithë qytetarët. Basha do të hartojë një plan bashkëkohor rregullues, për qytetin brenda vitit të parë qeverisës pa ngrirë zhvillimin, siç ka bërë Bashkia në 3 vitet e fundit.

Plani i ri synon:

1. Një strategji për të rigjallëruar sektorin ndërtimor dhe duke e vënë atë në shinat e standardeve dhe cilësisë së shërbimit për qytetarët.

2. Një strategji për të pasur një ekonomi dhe investime të larmishme në Tiranë, duke tërhequr investime jo vetëm për banim, por edhe për hoteleri, universitete e shkolla, qendra tregtare, kinema, qendra kulturore dhe park teknologjik.

3. Një formulë të suksesshme për një menaxhim të drejtë të pronës, Tirana nuk duhet të njihet më si oferta spekulative e sektorit të ndërtimit, por si vendi i shanseve të barabarta në investim.

4. Një strategji reale rajonale në konsultë dhe në koordinim me autoritetet lokale përreth Tiranës, si dhe në përputhje me politikat qeverisëse.

5. Një plan të qartë se si të ndërhyhet në çdo lagje banimi për një planifikim real dhe rritje të cilësisë së jetesës në blloqe banimi. Ky plan do të realizohet përmes një marrëveshjeje transparente me universitetet që kanë ekspertizë në këtë fushë.

6. Procesi i planifikimit do të jetë i hapur, transparent dhe gjithpërfshirës.

7. Ndihma sociale.

Ndërtim i shkollave të reja, klasa me jo më pak se 30 nxënës

Bashkia do të eliminojë mësimin me dy turne dhe do të bëjë të mundur që fëmijët e Tiranës të shkollohen në kushte të mira, me klasa me më pak se 30 nxënës. Fëmijët do të kenë shkolla moderne, ku të zhvillohet jeta sociale për ta. Të rinjtë që mësojnë në shkolla të mesme dhe studentët e Tiranës do të përdorin lirisht internetin, jo vetëm brenda godinës shkollore, por edhe në çdo hapësirë të qytetit. Studentët e Tiranës do të kenë një bibliotekë të madhe universitare në dispozicion të tyre. Për të arritur këtë synim, Bashkia do të caktojë sheshe të reja, ku do të ndërtohen shkolla, në çdo zonë në Tiranë. Do të përdoren sheshe të lira, por edhe do të shpronësohen territore, ku ndërtimet e dendura dhe pa kriter po i marrin frymën qytetit. Plani i ri rregullues i Tiranës, ka përparësi jo vetëm rritjen dhe zgjerimin demografik të qytetit, por edhe zhvillimin ekonomik e social. Do të ndërtohen më shumë kopshte, shkolla fillore, nëntëvjeçare, të mesme, profesionale dhe godina universitare. Fëmijët e Tiranës do të kenë mundësi të zhvillojnë një jetë të gjallë shkollore, me mjete moderne dhe mjedise të përshtatshme, për nxënësit dhe mësuesit. Çdo nxënës i Tiranës do të ketë mundësi të marrë pjesë në aktivitete brenda dhe jashtë shkollës për ta gjallëruar jetën e tyre mësimore. Me anë të një bashkëpunimi midis shkollave dhe bizneseve private do të hapen qindra vende pune të reja për qytetarët, që sot kanë nevojë të punësohen. Bashkia do të bëjë të mundur që jo vetëm nxënësit, të rinjtë, studentët, por çdo qytetar i Tiranës të mund të hyjë lirisht falas në internet Ëireless në çdo hapësirë të qytetit. Studentët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë të gjitha burimet e dijes dhe informacionit në Bibliotekën universitare të Tiranës, që do të ngrihet mbi sistem modern. Bashkia do të bashkëpunojë fort me botën universitare, do të aplikojë shpejt kartën studentore bashkiake. 100 bursa për studentët ekselentë dhe 500 bursa për studentët në nevojë të Tiranës, do të jenë pjesë e pandarë e buxhetit bashkiak. Nxënësit dhe studentët e Tiranës sot, mësojnë në shkolla ku mësimi zhvillohet me dy turne, ku kushtet në klasa janë nga më të këqijat dhe ku në shumë zona mungojnë godinat shkollore. Shumë fëmijë në Tiranë ecin gjysmë ore në këmbë për të shkuar në shkollë.

Qeverisje lokale transparente, linjë telefonike antikorrupsion

Në Bashkinë e Tiranës do të vendoset një linjë telefonike antikorrupsion, si masë në luftën kundër korrupsionit, si dhe do të bëhen transparente dhe do të shpallen në faqen zyrtare në internet. Lulzim Basha do të implementojë një qeverisje lokale demokratike, vizionare, të programuar, transparente e të ndershme. Për Lulzim Bashën, qytetarët janë në qendër të gjithçkaje dhe pjesë e vendimmarrjes për të sotmen dhe të ardhmen e qytetit të tyre. Për këtë qëllim, Bashkia do të konsultohet vazhdimisht me qytetarët e Tiranës me referendumet lokale, diskutimet dhe takimet publike pa dallime partiake, shoqërore e territoriale, si dhe duke siguruar një bashkëpunim dhe mirëkuptim mes kryetarit/administratës dhe Këshillit të Bashkisë. Çdo të premte, Bashkia do të presë çdo qytetar që do të ndajë hallet e problemet me kryetarin e Bashkisë së tij drejtpërsëdrejti. Bashkia do të ngrejë qendrat e informimit në të gjitha njësitë bashkiake dhe në Bashkinë e Tiranës, përmes një sistemi monitorimi elektronik online. Në këto qendra mund të raportohet elektronikisht e kështu do të matet produkti dhe rezultatet, përfshirë vlerësimin e kënaqësisë së qytetarëve dhe bizneseve për këto shërbime. Bashkia do të shpërndajë kompetencat për të fuqizuar rolin e minibashkive dhe rolin e banorëve të blloqeve e të pallateve. Administrimi i infrastrukturës dytësore dhe shërbimeve publike të drejtpërdrejta për qytetarët e bizneset, do t’iu kalohen në kompetencë njësive bashkiake, të cilat do të gëzojnë edhe kompetencat e caktimit dhe mbledhjes së të ardhurave e të administrimit të fondeve, përfshirë një fond të veçantë për ndërhyrje të shpejta mirëmbajtjeje dhe rehabilitimi. Qytetarët do të kenë lehtësi për marrjen e lejeve, licencave, strehimit, regjistrimit e shërbime të tjera, me qëllim rritjen e shpejtësisë, transparencës dhe eficencës së proceseve dhe shërbimeve administrative.

Parqe dhe kënde lojërash

Programi i Bashës siguron se, qytetarët e Tiranës, fëmijët e të moshuarit do të kenë hapësira të dyfishuara me gjelbërim; fëmijët, të rriturit e të moshuarit e Tiranës do të mund të çlodhen e argëtohen në parqe, lulishte e mjedise argëtuese publike. Bashkia do të angazhohet në shpëtimin e sipërfaqeve të gjelbërta ekzistuese, do të shpëtojë nga prishja apo zënia e ndërtimeve të tjera dhe do i rehabilitojë shpejt ato. Qytetarët do të kenë mundësi të pushojnë e të argëtohen në parqe të reja dhe zona apo qendra argëtuese në shumë nga zonat e qytetit, ku ekzistojnë ende hapësira të lira. Ndërtimet do të kushtëzohen në mënyrë, që të gjithë të shfrytëzojnë sa më shumë çdo mundësi për shtim të gjelbërimit dhe mjediseve çlodhëse e argëtuese, kulturore e sportive. Me anë të angazhimit të Bashkisë në investimet publike, por edhe bashkëpunimet me sektorin privat qytetarët e Tiranës shumë shpejt do të përfitojnë kapacitetet çlodhëse dhe argëtuese të parkut tjetër të madh të Tiranës, të Parkut të Dajtit, si dhe të ngritjes së zonave të mëdha të gjelbërta, çlodhëse dhe argëtuese në territoret e bashkive e komunave fqinje. Bashkia do të angazhohet në shpëtimin e sipërfaqeve të gjelbërta ekzistuese, do të shpëtojë nga prishja apo zënia e ndërtimeve të tjera dhe do i rehabilitojë shpejt ato. Qytetarët do të kenë mundësi të pushojnë e të argëtohen në parqe të reja dhe zona apo qendra argëtuese në shumë nga zonat e qytetit, ku ekzistojnë ende hapësira të lira. Ndërtimet do të kushtëzohen në mënyrë që të gjithë të shfrytëzojnë sa më shumë çdo mundësi për shtim të gjelbërimit dhe mjediseve çlodhëse e argëtuese, kulturore e sportive.

Sistem shëndetësor modern, pranë të gjithë qytetarëve

Bashkia do të mundësojë një mjedis të shëndetshëm, si dhe ngritjen e një sistemi shëndetësor modern, shumë pranë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Basha do të shpallë shumë shpejt një program të plotë, që të gjithë qytetarët e Tiranës të kenë qasje në kujdesin shëndetësor. Qytetarët e Tiranës do të mund të përdorin shumë shpejt qendrat e kujdesit parësor, që do të shumëfishohen me angazhimin e Bashkisë, veçanërisht në zonat e qytetit ku ato mungojnë si: “Don Bosko”, “Komuna e Parisit”, rruga “Jordan Misja”, “Uzina Dinamo”. Bashkia do të angazhohet me investime të përbashkëta me qeverinë për shndërrimin e Spitalit aktual të Sanatoriumit në një spital modern vetëm për qytetarët e Tiranës dhe njësive vendore fqinje. Ky spital do të ofrojë shërbim me shtretër dhe në të njëjtën kohë edhe shërbim të specializuar ambulator për të gjithë grupmoshat e në veçanti për të moshuarit dhe individët me aftësi të kufizuara. Bashkia do të ngrejë dhe zgjerojë rrjetin e qendrave sociale komunitare shumëfunksionale, përfshirë shërbimet shëndetësore kurative dhe parandaluese brenda tyre. Bashkia do të investojë edhe në mënyra më fleksibël të parandalimit apo trajtimit shëndetësor, si qendrat mobile diagnostikuese, apo fuqizimi i sistemit të ndihmës së shpejtë mjekësore.

Investime për hapësira të reja sportive

Nën drejtimin e Bashës, Bashkia e Tiranës do të financojnë gara sportive mes shkollave të Tiranës. Bashkia e Tiranës do të rikthejë të gji
tha ambientet sportive dhe do të investojë për këtë. Studentët edhe pas mbarimit të studimeve do të kenë po kështu me dhjetëra ambiente të reja sportive dhe palestra të mrekullueshme, për t’i dhënë qytetarëve të Tiranës, cilësinë e jetës që meritojnë. Bashkia do të angazhohet në një program të shpejtë, që synon në shpëtimin e sipërfaqeve ekzistuese. Gjithashtu, do të identifikohen sipërfaqe të lira të vogla kudo nëpër qytet, që të shndërrohen në terrene sportive e çlodhëse për banorët e lagjeve dhe banesave përreth, kombinuar me sipërfaqet e gjelbërta. Do të bëhet shpallja dhe vlerësimi si identitet lokal i qytetit i Klubit Sportiv “Tirana” të futbollit dhe mbështetja e fuqishme jo vetëm financiare, por edhe në riorganizmin e strukturave drejtuese-menaxhuese. Bashkia do të investojë në ndërtimin e një qendre multifunksionale sportive publike, e cila do të jetë moderne dhe e hapur për të gjithë qytetarët e Tiranës. Gjithashtu, Bashkia nën drejtimin e Bashës do të ndërtojë në çdo njësi bashkiake të paktën një qendër rekreativo-sportive publike për të gjitha moshat.

Zgjidhje përfundimtare pastrimit të qytetit

Lulzim Basha do të bëjë që qytetarët e Tiranës të jetojnë në një prej qyteteve më të pastra në Evropë. Ai ofron zgjidhjen e plotë të këtij problemi për Bashkinë përmes një sistemi të integruar menaxherial dhe bashkëpunimit mes pushteteve lokale me institucionet shtetërore. Qytetarët do të gëzojnë një qytet të pastër, ku do të grumbullohen e largohen mbetjet e hedhurinat në të gjitha zonat e qytetit, do të vendosen konteinerë të mëdhenj e të vegjël, do të zbrazen dy herë në ditë mbetjet në të gjitha zonat e Tiranës e do të pastrohen rrugët dhe sheshet me makineri moderne. Do të ketë teknika të grumbullimit të diferencuar të mbetjeve, me qëllim rritjen e shkallës së mundshme të riciklimit. Shërbimi i kryer nga operatorët do të monitorohet me rreptësi, duke përfshirë në monitorim qytetarët dhe bizneset krahas sensibilizimit dhe edukimit të vazhdueshëm për “Një Tiranë të Pastër”. Sistemi i diferencuar i grumbullimit të mbetjeve do të mbështetet nga kapacitete të zgjeruara të trajtimit të mbetjeve në të gjithë metropolin e Tiranës, bazuar në modele miqësore me mjedisin, përfshirë riciklimin, duke kontribuar kështu si në pastërtinë e qytetit ashtu edhe në neutralizimin e kësaj “bombe” mjedisore, e deri në krijimin e mundësive për aktivitete ricikluese. Me anë të përdorimit të këtyre shërbimeve moderne do të krijohen hapësira dhe vende të reja pune edhe në këtë sektor.

SHPËRNDAJE