TCH: Zgjedhjet serbe, bashkojnë shqiptarët përreth koaliciont të Luginës së Preshevës

“Koalicioni i shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, është duke u bërë gati për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Nëse në zgjedhjet e 6 majit në Serbi votën e tyre për këtë koalicion e japin 15 mijë shqiptarë, gjasat janë që Kuvendi i ardhshëm serb në përbërje të ketë edhe një deputet shqiptar dhe nëse dalin dyfishi i tyre mund të kenë dy deputetë.

Megjithatë, jo të gjithë shqiptarët janë pro pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare. Janë katër parti në koalicion në garë dhe dy parti e dy grupe qytetare që janë kundër. Ragmi Mustafa, kryetar i Komunës së Preshevës, por edhe i Partisë Demokratike Shqiptare, thotë se zgjedhjet tregojnë se Serbia nuk ka ndryshuar dhe nuk ka nevojë që të votohet për parlament.

“Si shqiptarë ne kemi mbështetur vazhdimisht shtetin më të ri në botë, Kosovën. Tanimë është e njohur se PDSH nuk do marrë pjesë në këto zgjedhje parlamentare që nuk flasin për parlamentarizëm, nuk flasin për demorkaci. Ne do të rezistojmë në këtë cështje, do ushtrojmë trysni ndaj Serbisë që të njohë Kosovën”, thotë Ragmi Mustafa, Kryetar i PDSH.

Nga ana tjetër, Riza Halimi, kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, i cili ka qenë deputet i Kuvendit të Serbisë, thotë se efekti nuk është i madh, por zëri i shqiptarëve dëgjohet dhe paraqiten padrejtësitë dhe diskriminimi. Sipas tij, është arritur që të ndryshojnë disa gjëra dhe mënyra demokratike është zgjidhje.

“Nuk është i drejtë arsyetimi i disa partive për të mos marrë pjesë në zgjedhje. Shqiptarët duhet të përfaqësohen në parlament për të ndryshuar gjërat”, deklaron Riza Halimi, Kryetar i PVD.

Pjesëmarrja ose jo në institucionet qendrore të Serbisë varet nga votat. Bashkësia ndërkombëtare ka rekomanduar më parë rrugën institucionale për shqiptarët. Megjithatë, edhe kësaj radhe shqiptarët janë të ndarë. Ndërsa votat e tyre për zgjedhjet presidenciale i ka kërkuar edhe liberaldemokrati serb, Çedomir Jovanoviç.(TCH)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni