Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Slavica Djukic – Dejanovic, ka shpallur 6 majin datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat dhe qytetet e Serbisë, përfshirë këtu edhe komunat në Kosovë, në të cilat qeverive lokale u ka skaduar mandati.

Dejanovic tha se zgjedhjet nuk do të mbahen në 17 komuna në Serbi (përfshirë 5 komuna të Kosovës), për shkak se, siç tha ajo, atje ende nuk u ka skaduar mandati qeverive lokale, raporton Tanjug.

Sipas saj nuk do të mbahen zgjedhjet në Prishtinë, Pejë, Leposavic, Mitrovicë dhe Novo Bërd, ku qeveritë aktuale kanë ende mandat.

Kryetarja e Kuvendit deklaroi se qeveria serbe, në bashkëpunim me UNMIK-un, do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Edhe presidenti serb Boris Tadic sot ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Serbi më 6 maj.

Vendimi i Serbisë për mbajtjen zgjedhjet lokale në Kosovëpritet të kundërshtohet nga autoritetet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë.

Mbajtja e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë shihet si përpjekje për sforcimin e strukturave paralele serbe, për zhbërjen e të cilave autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.(Expressi)

SHPËRNDAJE