ZGJEDHJET 6 MAJ "12: LPD VAZHDON FUSHATËN ELEKTORALE NË LETOVICË

Lëvizja e Progresit Demokratik, ka vazhduar fushatën elektorale, në fshatin Letovicë, duke prezantuar kandidatët e mundshëm për këshilltarë komunale dhe duke shpalosur programin zgjedhor për zgjedhjet e 6 majit,njofton TvP

 

Buajnoc, 2 maj

Oborri i Shkollës Fillore “Ali Bektashi”, ishte i dekoruar me flamuj kombëtarë, partiakë, posterë e balona shumëngjyrëshe, me një pamje të mrekullueshme si asnjëherë më parë, në të cilën ishin grumbulluar simpatizues të shumë për t’i dhënë përkrahje liderit të Lëvizjes së Progresit Demokratik, zotëri Jonuz Musliu, me moton: “Ne bëjmë ndryshime, Ti vendos!” dhe “Duam fitore”, “Duam fitore”, “LPD-LPD”  etj.

Tubimi elektoral u hap nën intonimin e Himnit kombëtar dhe me një minut heshtje për dëshmorët e kombit, të cilët u flijuan për lirinë e vendit.

Tubimin e hapi Zylihaje Aliu, me një përshëndetje të veçantë për liderin e Lëvizjes së Progresit Demokratik, zotëri Jonuz Musliun dhe gjithë simpatizuesit e këtij subjekti politik. Ajo, tha se ndjehet e priviligjuar t’i prezantoj kandidatët e mundshëm për këshilltarë komunalë nga radhët e këtij subjekti politik, për Kuvendin e ri të Bujanocit. E këta janë: Ahmet Mustafa, Zijadin Rashiti dhe Behar Zymberi.

Fillimisht fjalën e mori Arlind Islami, nga forumi rinor i LPD-së nga Letovica, i cili elaboroi për të arriturat e fshatit gjatë mandatit që e lamë prapa dhe potencoi prioritet që ka ky vendbanim në katërvjeçarin e ardhshëm.

Në vazhdim fjalën e mori nënkryetari i LPD-së, dr. Adnan Salihu, i cili diskutoi për nevojat e qytetarëve të Letovicës për hapjen e ambulancës, shtëpisë së kulturës etj.

Gjithashtu, në këtë tubim, fjalën e mori edhe drejtori i Qendrës për Punë Sociale, Njizi Ahmeti, i cili paraqiti projektet për zbutjen e varfërisë dhe ndihmesën e familjeve me asistencë sociale.

Në vijim lideri i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu, shpalosi programin zgjedhor të këtij subjekti politik, i cili është angazhuar për realizmin e kërkesave të qytetarëve në të gjitha fushat e veprimtarive me interes kombëtar e qytetar.

Kryetari i LPD-së, z. Musliu, vitin 2012 e konsideron fitore të këtij subjekti politik, i cili në këto zgjedhje po hyn më i fortë se kurrë, pikërisht me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 4 vjetorit të mëvetësisë së Kosovës.

Lideri i LPD-së, z. Jonuz Musliu, përmbylli diskutimin, duke ftuar elektoratin që sa më masovisht të dalin në zgjedhjet e 6 majit, për të rrethuar numrin 7, nga se sjell fitore!

Tubimin elektoral e konsideroi të mbyllur, moderatorja Zylihaje Aliu, e cila ftoi bashkëfshatarët e tij, që të dalin sa më masovisht në zgjedhjet e 6 majit, për ta rrethuar nr. 7, për zgjedhjet lokale dhe nr. 15 për zgjedhjet parlamentare, njofton Qendra për Informim e LPD-së.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni