Zëvendëskryeministrja Arifi u takua me ish presidentin kroat, Stipe Mesiç

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Dr. Teuta Arifi, sot u takua me ish presidentin e Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiç.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimet aktuale politike në rajon dhe perspektivën euro atlantike të vendeve të Evropës Juglindore. Zëvendëskryeministrja Arifi uroi ish kryetarin e Republikës së Kroacisë për shpalljen e tij qytetar nderi i Tetovës.

“Tetova përgjatë historisë së saj është dëshmuar të jetë vatër e dijes, kulturës dhe progresit. Ky qytet i hapur për çdo kënd është inspiruar dhe ka inspiruar të tjerët për të përqafuar vlerat universale njerëzore si që janë, liria, barazia, tradita, kultura dhe arsimi. Më gëzon fakti që prej dje ju jeni bashkëqytetari im” theksoi Arifi.

Arifi informoi anëtarët e delegacionit kroat për progresin e arritur gjatë periudhës një vjeçare në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si element kyç i zhvillimit demokratik të këtij vendi si dhe përkushtimin e institucioneve për të zbatuar reformat që dalin nga agjenda evropiane e Maqedonisë.

“Procesi i bashkimit të Evropës nuk mund të përfundojë pa integrimin e shteteve të Evropës Juglindore. Ne jemi gjenerata që duhet ta përfundojë suksesshëm këtë proces” tha Mesiç.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni