Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha për Radio Kosovën se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, kanë përgatitur planin operativ për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

Ai, tha se të gjitha detajet janë në përgatitje e sipër. E gjitha, sipas Zekës, do të bëhen në bashkëpunim me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Natyrisht ne me krejt kapacitetet tona institucionale që i kemi, duke u nisur nga policia, por gjithnjë duke pasur parasysh bashkëveprimin me EULEX-in dhe KFOR-in ne nuk do të lejojmë mbajtjen e zgjedhjeve siç po i quajnë ata të lira në territorin e Kosovës”, tha Zeka.

Ai theksoi se Serbia duhet ta ketë të qartë se tani ka të bëjë me Kosovën shtet, e jo me Kosovën e viteve të ’90-a.

“Serbia duhet të harrojë se Kosova është e viteve të ‘90-a. Kosova është shtet dhe ka institucionet e saj që vendosin, kështu që zgjedhjet në Kosovë nuk do të lejohen të mbahen dhe nuk do të ketë zgjedhje serbe në Kosovë”, theksoi Zeka.

Kuvendi i Kosovës në seancën e fundit ka miratuar një rezolutë përmes së cilës konkludon se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk do të lejohen dhe përmes saj obligon Qeverinë që ta realizojë këtë vendim.

Ndërkohë, zyrtarët serb në Beograd kanë thënë se kanë konsideratë për kundërshtimet, të cilat vijnë nga politikanët e bashkësisë ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, por vendimi për këtë do të merret në harmonizim me qëndrimin e UNMIK-ut.

SHPËRNDAJE