Cristiano Ronaldo shënoi gol, festoi dhe u shfaq i lumtur te Portgugalia por te Real Madridi është i trishtuar. Arsyeja është vetë klubi. Prestigjozja “AS” raporton se sulmuesi portugez nuk ndihet i mbështetur nga klubi me trishtimin e tij që nisi gjatë ceremonisë së lojtarit më të mirë të UEFA-s që e fitoi Iniesta.
Sipas gazetës, këtu nisi gjithçka me dy rivalët e tij Messi e Iniesta të mbështetur maksimalisht nga Barcelona, kjo e konkretizuar me prezencën e Sandro Rosell në ceremoni. Po Reali? Klubi madrilen ishte prezent me zëvendës presidentin e tretë të klubit, Pedro Lopez, që me gjithë respektin për të askush nuk e njeh.
Prania e zyrtarit tjetër, Butragueno barazohet me atë të Zubizarretas që do të thotë është i punësuar dhe jo kryesori i Real Madridit. Sipas “AS”, kjo është arsye kryesore që C. Ronaldo ndihet i trishtuar duke menduar se klubi nuk e mbështet ashtu siç duhet lojtarin më të mirë të ekipit por njëkohësisht dhe një nga dy më të mirët e planetit.
Lidhur me Perez, në Spanjë shkruajnë se presidenti nuk e ka snobuar eventin, por ditën e ceremonisë ka qenë në Monte Carlo në një takim me shumë rëndësi me analistë të huaj financiarë për të diskutuar ndryshimin radikal të politikës së të ardhurave. Një tjetër arsye me më pak rëndësi që ka shtyrë Ronaldon drejt trishtimit është më banale siç e thotë vetë “AS” e ka të bëjë me humbjen ndaj Iniestas në Monaco, çmim që portugezi e donte me çdo kusht. Ndoshta deri në fund të vitit Ronaldo mund të gjejë stimuj të rigjejë buzëqeshjen por lind pyetja, nëse në Janar Topin e Artë nuk e fiton portugezi, do të ketë sërish trishtim ndoshta edhe më të madh se ky?!

SHPËRNDAJE