Kryeministri në konferencë të përbashkët shtypi me Lamberto ZanierSekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Lamberto Zannier ka deklaruar se është e rëndësishme vazhdimi i dialogut mes forcave politike në Shqipëri.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Berisha, Zannier ka theksuar ka garantuar mbështetjen për zgjedhjet e ardhshme në vendin tonë. Sipas tij OSBE-ja mbështet dialogun politik në Shqipëri dhe është e gatshme të kontribuojë për këtë.

Ai gjithashtu theksoi se vendi ynë ka probleme me shtetin e së drejtësë por kjo sipas tij nuk vlen vetëm për Shqipërinë por është për shumë vende të botës.

“Shteti i së drejtës nuk vlen vetëm për Shqipërinë por është një prioritet global. Disa nga prioritet për Shqipërinë janë lufta kundër korrupsionit, një qeverisje më e mirë ekonomike etj. Unë kam kontakte edhe me komisionerin Fyle për të bërë të mundur ta ndihmojmë Shqipërinë” tha Zannier.

Gjithashtu Zannier ka shtuar se mirëpret hapat pozitivë që Shqipëria ka hedhur në rolin e saj konstruktiv në rajon duke shpresuar se ky rol do vijojë dhe në të ardhmen.

Ndërkohë, kryeministri Berisha ka shprehur vendosshmërinë e qeverisë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje sipas standarteve.

“Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme, këtë e bazoj në një vendosmëri të madhe të qeverisë për të bërë gjithçka që ka në dorë për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, në interesin jetik të opozitës për një proces të lirë e të ndershëm. Në vitin 2009, zoti Rama deklaroi se procesi zgjedhor do të ishte historik, por kur nuk gjeti votat që donte ndryshoi qëndrim. Shqiptarët zhvilluan zgjedhje të lira dhe unë jam i vendosur për zgjedhje të lira e të ndershme, në 2013-ën” shtoi më tej Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha ka vlerësuar bashkëpunimin me OSBE-në si shumë të rëndësishme. “I kërkova të bëjmë çdo gjë për të mbështetur praninë në Tiranë, ODIHR dhe Asamblenë Parlamentare në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të tilla që plotësojnë standardet e OSBE dhe mora siguri të plotë për këtë. Diskutuam për vendosmërinë për një rol më të madh brenda organizatës”- tha Berisha.

SHPËRNDAJE