Kryeministri Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur nga Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy.

Temë bosht e takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me Presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy ishin zhvillimet e fundit në Kosovë, reformat që institucionet e Republikës së Kosovës janë duke i ndërmarrë në fushën e legjislacionit, të ndërlidhur me fuqizimin e sundimit të ligjit, reformën zgjedhore, si dhe përkushtimet e Qeverisë së Kosovës në përmbushjen e plotë të agjendës evropiane të integrimit.

“Presidenti i Bashkimit Evropian Van Rompuy në takimin me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi e ka çmuar lartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane, si dhe përkushtimin e treguar në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ne nje njoftim te Zyres se Kryeministrit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin me Presidentin e BE-së, Van Rompuy, ka ritheksuar angazhimin e vazhdueshëm dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare për përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit, duke u fokusuar në implementimin e reformave të gjithëmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Kryeministri Thaçi gjithashtu ka potencuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret që kanë të bëjnë me nisjen e dialogut të liberalizimit të vizave dhe me të drejtë presim që ky proces të fillojë në ditët e ardhshme. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Gjatë takimit me Kryeministrin Thaçi, Presidenti Van Rompuy gjithashtu është interesuar për situatën ekonomike dhe ndikimin e krizës ekonomike evropiane në Kosovë. Kryeministri Thaçi e ka njoftuar Rompuy se Republika e Kosovës nuk është prekur nga kjo krizë, dhe pavarësisht krizës Kosova ka pasur dhe parashikon të ketë rritje ekonomike, duke i harmonizuar të gjitha politikat ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.(Express)

SHPËRNDAJE