Xhon Terri: Fëmijët i kam fansa të Mesit!

Xhon Terri duhet të mendohet mirë para se të vendosë të ndërhyjë ashpër ndaj Lionel Mesit në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve mes Çelsit dhe Barcelonës, pasi në shtëpi do t’i duhet të japë llogari përpara fëmijëve të tij.

Kapeni i Çelsit ka treguar se binjakët 5-vjeçarë, Xhorxhi dhe Samer, janë fansa të çmendur të futbollistit argjentinas. Ky është një telash më shumë për mbrojtësin, sikur të mos mjaftonte ai i gjetjes së një mënyre për të ndalur argjentinasin, autor i 58 golave në këtë sezon.

“Për mua, Lionel Mesi është lojtari më i mirë i të gjitha kohëve. Është kënaqësi të vihem përballë tij dhe kur të mbyll karrierën, të shoh prapa dhe të di se kam vënë në provë veten kundër më të mirit”.

“Ai do të jetë i fortë edhe kur ta kem përfunduar unë karrierën. Ndaj kur të jem duke e parë në televizor në shtëpi, do të mund t’i them fëmijëve të mi që unë kam luajtur kundër tij”.

“Fëmijët e mi e adhurojnë atë. Të dy kanë fanella të Barcelonës me emrin e tij mbi shpinë dhe i pëlqen fakti që unë kam ndërruar fanellën me të në një nga takimet e mëparshme”.

“Por nuk duhet të ankohem, pasi Mesi është një lojtar individual i jashtëzakonshëm dhe një njeri i shkëlqyer. Ai ka gjithçka dhe është një reklamë e pastër e futbollit. Ai është magjik për t’u parë por mund të ndalet, ashtu siç kemi treguar në të kaluarën”.

Terri mund të jetë i lumtur për faktin se argjentinasi nuk ka shënuar asnjëherë në 6 sfidat e mëparshme kundër tij. Por për kapitenin e bluve, kjo nuk do të thotë asgjë nëse nuk fitohet trofeu.

“Është një gjë e bukur të thuash kam luajtur kundër këtij lojtari, apo kundër asaj skuadre. Por unë vlerësoj gjithmonë vetëm fitoret. I kemi shkuar shumë pranë fitores në Ligën e Kampineve por nuk e kemi fituar kurrë dhe ky është objektivi kryesor që në momentin kur skuadrën e mori Roman Abramoviç. Ndeshjet e mëparshme me Barcelonën janë disa nga kujtimet më krenare të karrierës time. Por unë tani dua të fitoj”, ishin fjalët e Territ.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni