Xhafer SHATRI: Çdo lëvizje ilegale ka pasur heronjtë, por edhe “kurvat” e veta

Në një intervistë të gjatë dhënë kryeredaktorit të “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, që u emetua të premten, më 27 korrik në KTV, Xhafer Shatri ka treguar se si është ndodhur nën presion vetëm për shkak se kishte kërkuar hetim të fondeve financiare për Kosovën.

 

Prapavija e së vërtetës rreth fondeve të shumëkritikuara “Vendlindja Thërret” dhe “Trepërqindëshi”, emri që qëndroi prapa ngritjes së themeleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përçarjet ndërshqiptare në momentet më të rëndësishme për Kosovën dhe shumë ngjarje të rëndësishme historike janë vetëm disa prej temave që janë elaboruar deri në hollësitë më të mëdha nga Xhafer Shatri, veprimtar i shquar i lëvizjes patriotike kombëtare, në emisionin “Press-ing” të KTV-së.

 

Shatri e ka kritikuar po ashtu edhe Qeverinë e tanishme të Kosovës, ndërsa për veriun e Kosovës ka thënë se është një territor tashmë i humbur.

Shatri, ish-i burgosur politik, ka folur po ashtu për organizimin e lëvizjes ilegale pas demonstratave të vitit ’68, burgosjen e tij dhe dënimin me tetë vjet burg. Ai ka treguar se synimet e lëvizjes ilegale të viteve shtatëdhjetë kanë qenë bashkimi i shqiptarëve në trojet e pushtuara në një njësi të vetme, duke shtuar se ndryshimi i programit, për ta përfshirë pavarësinë e Kosovës, ka ndodhur gjatë viteve tetëdhjetë.

Ai po ashtu ka treguar se si ka ikur nga burgu, pasi që në fund të dënimit tetëvjeçar i kishte ardhur vendimi i plotfuqishëm për dënim njëmbëdhjetëvjeçar, për shkak të një kryengritjeje në Burgun e Mitrovicës së Sremit.

Gjatë intervistës është trajtuar edhe efekti që ka pasur vrasja e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës si dhe Kadri Zekës në mobilizimin më të madh të shqiptarëve në mërgatë.