Mourinho nuk do të hyjë në historinë e futbollit, ndryshe nga “gjeniu” Guardiola, që ka shpikur një mënyrë të re të të luajturit futboll.

Këtë deklaroi mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, në një intervistë për “Canal +”. “Mourinho nuk do të hyjë në histori, diçka që do të bëjë Guardiola, pasi futbolli nuk është më i njëjti pas katër viteve gjatë së cilëve ai drejtoi Barcelonën”.

Përballë pyetjes së gazetarit se si ka mundësi që Mourinho të mos mbahet pas të gjithë titujve që ka fituar, Xavi ilustroi mendimin e tij duke thënë: “Chelsea fitoi Champions League gjatë vitit, por është Barça ajo që vazhdon të jetë referenca botërore për stilin e lojës. Për historinë, nuk ka rëndësi se sa tituj fiton, por se si i fiton ata”.

32-vjeçari, i cili ka zhvilluar të gjithë karrierën e tij në radhët e katalanasve, bëri edhe një krahasim midis dy Topave të Artë që kanë luajtur në ekip, Ronaldinho dhe Messit.

”Ronaldinho ndryshoi dinamikën e Barcelonës kur mbërriti. Kishim pesë vjet pa fituar asgjë dhe ai i krijoi ekipit bindjen që mund të rikthehej të fitonte. Kishte kohë që në rrugë nuk shihje njerëz me fanelën e Barçës, por ai i riktheu. Për ne lojtarët kishte një ndienjë të fortë sigurie duke ditur se më i miri në botë luante përkrah nesh. Megjithatë, nuk mund ta krahasoj me Messin, pasi është më i miri në absolute që kam parë ndonjëherë. Do të ishte e padrejtë që kushdo futbollist tjetër të fitojë Topin e Artë përsa kohë Messi do të jetë ende duke luajtur”, perfundoi Xavi.

SHPËRNDAJE