Kampioni spanjoll, Reali i Madridit përfundon turin parapërgatitor në Amerikë dhe në ndeshjen e fundit “Los Blancos” arrijnë të marrin një tjetër rezulatat pozitiv.
Skuadra e Jose Mourinhos mundi 2-0 në Philadelphia ekipin skozec të Celtic, duke fituar ndeshjen e katërt radhazi. Lojtarët që i dhanë fitoren merengesave ishin Jose Maria Callejon dhe Karim Benzema falë golave të shënuar respektivisht në minutën e 22 dhe 67. Mesfushori i Realit, Xabi Alonso ndihet mjaft i kënaqur për këtë sukses të skuadrës duke pohuar se gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Mendoj se çdo gjë shkoi shumë mirë. Shumica e synimeve tona u realizuan që në fillim dhe më bëhët qëfi për mënyrën se si shkuan gjërat. Në çdo qytet që ishim ia kemi kaluar mirë dhe mbështetja nga ana e tifozëve ka qënë mjaft e madhe. Diçka e tillë është shumë e rëndësishme për klubin. Ne ndihemi mirë sa herë që vjimë këtej”.
Alonso bëri dhe një koment përsa i përket ekipit të tij duke shtuar se lojtarët janë përshtatur mirë njëri-tjetrin edhe pse ka ende punë për të bërë.
“Sigurisht që për shumë gjëra kemi rënë dakort që më para pasi ne e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe për momentin ekipi është i qetë e solid. Gjëra për të përmirësuar? Padyshim që ka por ndihemi mirë dhe jemi vetëm një javë larg fillimit të kampionatit dhe për këtë arsye duhet të jemi gati dhe të përgatitur”.
Në tre ndeshjet e para të zhvilluara në Amerikë, Reali i Madridit ka fituar me rezultatin 5-1 kundër Los Angels Galaxy dhe Milanit teksa me ekipin meksikan të Santos Laguna ka mundur të fitojë 2-1.

SHPËRNDAJE