Faqja e internetit që ofron njohuri të ndryshme, Wikipedia ka lajmëruar se do ta mbyllë faqen e saj në gjuhën angleze për 24 orë, gjatë ditës së nesërme, për të protestuar kundër një legjislacioni që po konsiderohet nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fondacioni Wikimedia tha se nëse legjislacioni përkatës bëhet ligj, interneti do të jetë më pak i lirë dhe i hapur, dhe se autoritetet do të kenë mjete të reja për censurim të faqeve ndërkombëtare të internetit, brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Legjislacioni në fjalë, i quajtur “Ndalimi i veprimeve të piraterisë në internet”, në Shtëpinë e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan është dizajnuar për të luftuar shitjet e paligjshme të produkteve pirate amerikane.

Mbështetës të këtij legjislacioni janë industritë e filmit dhe muzikës, të cilët thonë se të humbasin miliona dollarë kur prodhimet e tyre shpërndahen në mënyra të paligjshme.

Ndërkohë, kritikët e legjislacionit thonë se një ligj i tillë mund ta dëmtojë industrinë e teknologjisë dhe të shkelë të drejtat e lirisë së shprehjes. Wikipedia është një nga dhjetë faqet më të vizituara të internetit në botë, e cila ka me miliona vizitorë çdo ditë.

SHPËRNDAJE