VV nuk merr mbështetjen e LDK-së dhe AAK-së

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të mbledh 40 nënshkrimet e deputetëve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, ku do të diskutohej për çështjen e fusnotës...

Mirëpo, kjo Lëvizje pas dështimit të përpjekjes së mbledhjes së nënshkrimeve të deputetëve, nga sot ka filluar grumbullimin e tyre nga qytetarët e Kosovës. Ndërkaq dy partitë tjera opozitare LDK dhe AAK, kanë konfirmuar edhe një herë qëndrimin e tyre se nuk do ta mbështesin nismën e Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme dhe as protestën e paralajmëruar për të hënën.

Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë të ditur se krahas kërkesës për grumbullimin e nënshkrimeve nga deputetet e Kuvendit të Kosovës, nga sot kjo Lëvizje në 28 qendra të ndryshme të Kosovës ka filluar me grumbullimin e nënshkrimeve edhe të qytetarëve.

Sipas tij, gjatë ditëve në vijim do të arrijnë të grumbullojnë 10-mijë nënshkrime të qytetarëve, gjë që do t’ua mundëson atyre mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, siç tha ai për ta kundërshtuar fusnotën personale të Hashim Thaçit.

Mirëpo, nismat e Vetëvendosjes nuk po gjejnë përkrahjen e partive opozitare, të cilat kërkojnë rrugë tjera për ta kundërshtuar fusnotën dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Besnik Tahiri nga AAK, ka thënë se Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës është kundër një debati, i cili vetëm do të diskutonte dhe do të fuqizonte me një votim këtë fusnotë, e cila do të ishte në dëm të Kosovës. Po ashtu Tahiri ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta mbështesë as protestën e paralajmëruar nga Vetëvendosja ditën e hënë, porse sipas tij AAK, do të bëjë çmos që qeverisë aktuale t’i vije fundi sa më parë.

Edhe partia tjetër opozitare LDK, qëndron prapa vendimit të djeshëm politik, që është kundër nismës së Vetëvendosjes për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.

Armend Zemaj, duke folur për qëndrimin e LDK-së lidhur me këtë çështje, ka theksuar se kjo parti vazhdon të qëndrojë prapa qëndrimit se Kosova është shtet sovran i pavarur dhe demokratik dhe se Republika e Kosovës është terminologji juridike, kushtetuese dhe politike që përfaqëson identitetin e shtet bërjes. Ndërsa sa i përket reflektimit tjetër me miq ndërkombëtarë sipas tij, mbetet i fuqishëm, duke përsëritur thënien e zakonshme të liderëve të LDK-së, në miqësi të përhershëm me SHBA-të dhe me të gjitha vendet evropiane dhe veri-atlantike. (RtK)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni