Në një pikë-takim, me mbi 1 mijë metra lartësi në malet e Çyçavicec, është bërë ndarja e çmimeve për poetet fituese pjesëmarrëse në festivalin e poezisë shqipe “Takimet e poeteshave shqiptare 2011”, i cili është organizuar për të 29- herë më radhë në qytetin e Vushtrrisë, njofton Koha.Net

 

Vushtrri, 11 qershor –  Anëtaret e komisionit për vlerësimin e poezive Arsim Rexhepi, Ibrahim Kadriu dhe Xhevahire Izmaku, në përfundim të këtij festivali ndan çmimin e parë për dy poetet, Yllka Filipi, nga Shqipëria me poezinë “Sëpata”, si dhe Puntorie Zibës, nga Maqedonia me poezinë “Një rrugë Kolosit të filmit, Bekim Fehmiut”. Vendi i dytë sipas komisionit vlerësues i takoi gjilanases Lindita Ramushi, me poezinë “Më lerë të psherëtij”, dhe poetes nga Prishtina Aida Rexhepi, me poezinë “Duan të na marrin”.

Ndërkaq dy çmime për vendin e tret shkuan për Shefqete Gosalci, nga Prishtina, me poezinë “Fole mbi dallgë”, si dhe për poeten vushtrriase Sevëme Fetiqi, me poezinë “Macja me virtyte”. 

Një çmim si debutuesja më e mirë e këtij festivali mori edhe poetesha Teisa Haxhiu, me poezinë “Jam dhe s’jam”, ndërkaq çmimin që ndau këtë vit Drejtoria e Arsimi e Komunës së Vushtrrisë, ishte për poeten nga Tirana Venka Capa, me poezinë “Jam grua”.

Festivali është themeluar para tri dekadave si manifestim që mblidhte femrat krijuese në Kosovë, ku pas çlirimit të vendit ky manifestim mori karakter gjithëkombëtar duke përfshirë edhe poete nga të gjitha trojet e gjeografisë shqiptare, ku tani nikoqirët e këtij festivali deklarojnë se e kanë në plan që atë ta bëjnë me karakter ndërkombëtar

Nga gjithsej 83 poete që kishin konkurruar, në konkurrencë për tri çmimet kryesore janë kualifikuar 46 poete.

Edhe sivjet ky manifestimi ka mbledhur në Vushtrri një numër të madh të poeteve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, por edhe nga vendet e Evropës perëndimore, përderisa organizator i këtij manifestimi ka qenë Komuna e Vushtrrisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinis dhe Sportit

SHPËRNDAJE