Vukçeviq: Dëshmitari “kërcënohet me vdekje”

Prokurori i Prokurorisë serbe për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, u ka thënë medieve serbe, se dëshmitari shqiptar, ish-pjesëtar i UÇK-së, që ka dëshmuar nëpërmes të një video-incizimi, i cili është shfaqur në RTS, për heqje të organeve, ka marrë mesazhe kërcënuese me vdekje.

Vukçeviq nuk ka sqaruar se si i kanë arritur mesazhet dëshmitarit, për të cilin askush në Serbi, e aq më pak në Kosovë, dinë se kush është. Natasha Kandiq, aktiviste e njohur serbe për të drejtat e njeriut, në anën tjetër, incizimin e publikuar e ka quajtur një manipulim me opinionin dhe i cili ka shqetësuar familjet e të zhdukurve.

“Dëshmitari bashkëpunues ka marrë mesazhe kërcënuese me vdekje dhe mu për këtë arsye ai ka vendosur që dëshmojë për krimet në të cilat edhe vetë ka marrë pjesë. Kjo është mënyra më e mirë për të dalë nga situata në të cilën është gjetur dëshmitari, pas kërcënimeve që ka marrë. Ai është në programin e masave serioze mbrojtëse, ashtu siç parashihet me Ligjin për mbrojtje të njerëzve që kanë marrë pjesë në krime dhe që ndiqen procedura penale ndaj tyre. Kushti i vetëm i tij është që jetë i sigurt. Për këtë arsye i kemi siguruar masa mbrojtëse, të cilat i zbaton Njësia për Mbrojtje e MBP-së së Serbisë”, ka deklaruar Vukçeviq.

Ai ka theksuar se ka mundësi që të sigurohen edhe dëshmitarë të tjerë të trafikimit me organe të serbëve të Kosovës, por ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen, nëse deri më tani është paraqitur ndonjë dëshmitar tjetër.

Ai tha se është duke pritur vizitën e ekipit hetues ndërkombëtar për trafikim me organe në Kosovë dhe në Shqipëri, në krye të të cilit është prokurori special i BE-së, Xhonom Klinom Vilijamson, por siç ka thënë Vukçeviq, deri më tash askush nuk e ka kontaktuar atë.

“Pres që të ketë kontakte, ndërsa ne do t’u mundësojmë atyre ta marrin në pyetje dëshmitarin e mbrojtur. Absolutisht jam i sigurt në të vërtetat e dëshmisë së dëshmitarit. E kemi vlerësuar validitetin e dëshmisë dhe jemi bindur se përputhet krejtësisht me të dhënat dhe çështjet që i kemi verifikuar”, ka theksuar prokurori serb për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, duke siguruar se ekipit hetues ndërkombëtar do t’i mundësohet që ta verifikojë gjithë atë që ka bërë Prokuroria për krime lufte./Zëri


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni