Vritet kushëriri i Fatmir Limajt

 Kushëriri i Ministrit të Transportve në Kosovë, Fatmir Limaj, është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur gjatë një përleshjeje me armë zjarri në një lokal nate në Banjë të Malishevës.

Skënder Limaj u qëllua për vdekje mbrëmjen e 1 janarit ndërsa po festonte me familjen e tij. Familjarët dhe dëshimtarë të ngjarjes së rëndë të ndodhur të shtunën thonë se 10 persona hynë të armatosur në lokal dhë në mënyrë të pakontrolluar kanë qëlluar mbi familjen Limaj duke lënë të vdekur Skënder Limajn e duke plagosur vëllain dhe nipin e tij.

Kjo ngjarje ka marrë menjëherë ngjyrim politik pasi dyshohet se autorët e vrajes janë familjarë të kandidatit  për deputet të lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi që ka qenë bashkëluftëtar me Limajt dhe kryetar komune nën siglën e PDK-së.

Top Channel mësoi se përplasja mes dy palëve e ka zanafillën nga zgjedhjet e 12 dhjetorit kur mes komisionerëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes pati mosmarrëveshje të dukshme.

Ndërkohë, policia njoftoi se janë shoqëruar si të dyshuar autorë të ngjarjes 12 persona mes të cilëve edhe 3 djem të Gani Krasniqit, kandidatit për deputet të Vetëvendosjes.  Vetë lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që kjo ngjarje e rëndë të mos politizohet. (PrJ/TCH)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni