Tiranë “Atentatori im ndodhej brenda një makine Mercedes me ngjyrë të zezë. Ai hapi zjarr me kallashnikov, me qëllimin për të më vrarë”. Këto kanë qenë fjalët e Aleksandër Gocajt për oficerët e policisë, të cilët e morën në pyetje mbrëmjen e së enjtes në spitalin Ushtarak. Në dëshminë e tij për llogari të hetimit, 27-vjeçari ka shpjeguar skenën e përplasjes me armë, një plumb i së cilit goditi aksidentalisht për vdekje 25-vjeçaren Megi Jokiçi. Gocaj ka mohuar të kishte njohur autorin, kur është pyetur nga oficerët e policisë, megjithëse këta të fundit besojnë të kundërtën. Megjithatë, 27-vjeçari ka shpjeguar gjithë skenën e krimit, duke i lënë policisë si detyrë identifikimin dhe kapjen e autorit. Gocaj ka vazhduar dëshminë e tij, duke thënë se ndodhej në makinën e tij “Toyota” së bashku me mikun e vet, kur janë gjendur mes breshërisë së plumbave. Gocaj ka thënë para hetuesve se nuk kishte një emër për atentatorin dhe se nuk ishte në gjendje të identifikonte personin që goditi nga Mercedezi me ngjyrë të zezë. Paralelisht me dëshminë e Gocajt, hetuesit e ngjarjes i kanë varur shpresat tek pamjet filmike të fiksuara nga kamerat e disa bizneseve në rrugën “Komuna e Parisit”, të cilat mendohet të kenë fiksuar momentin e atentatit. Burime policore konfirmuan dje se janë sekuestruar disa pamje filmike, ndërsa ka të dhëna operative për identitetin e personit që plagosi Aleksandër Gocajn dhe vrau me një plumb në fytyrë stomatologen Megi Jokiçi. Por cili është motivi i kësaj përplasjeje të armatosur, që solli vdekjen e 25-vjeçareje që ndodhej aksidentalisht në vendngjarje? Hetuesit e policisë së Tiranës besojnë se atentati i së enjtes në Tiranë është në vazhdën e një seriali të gjatë hakmarrjes, me zanafillë qytetin e Burrelit. Ndonëse në deklarimet e dhëna për hetuesit, Gocaj është shprehur se “nuk e kishte idenë se kush ishte i interesuar për ta eliminuar”, drejtuesit e hetimit dyshojnë se ai e ka të qartë se kush janë të interesuar në eliminimin e tij. Megjithatë, agjentët janë duke gjurmuar edhe në lidhje me aktivitetin e kohëve të fundit të Gocajt dhe miqve të tij, për të parë nëse ky atentat lidhet me ndonjë histori përplasjesh apo mosmarrëveshjesh të kohëve të fundit. Gocaj ka qenë i skeduar prej kohësh nga policia si një person me lidhje të dyshimta. Në momentin e atentatit, ai ka qenë në automjet së bashku me shokun e tij, Genti Mara, ndërsa mësohet se ky i fundit nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Të dy miqtë kanë qenë në një kazino në “Komunën e Parisit” përpara se t’i hipnin makinës. Në momentin që kanë nisur të dalin nga parkingu, ata janë gjendur në breshërinë e plumbave, njëri prej të cilëve i mori jetën Megi Jokiçit, e cila ndodhej në një tjetër makinë së bashku me të fejuarin e saj. Pasi është goditur me plumba, fuoristrada e drejtuar nga Gocaj ka ecur me shpejtësi dhe rreth 70 metra më tej, është përplasur me një automjet tip ‘Mercedes’. Edhe pse i plagosur lehtë, shënjestra e atentatit dhe miku i tij kanë tentuar të largohen nga “kurthi” i ngritur për ta, por janë gjetur nga policia pak metra më tutje. Policia dyshon se atentati ndaj Gocajt mund të jetë dhe i porositur nga kundërshtarët e tij, pasi shënjestra njihet si një ndër miqtë më të afërt të Halit Dedjes, i vrarë më 17 dhjetor 2010 në Tiranë. (mapo)

SHPËRNDAJE