Fadil Vokrri, kryetar i FFK për herë të parë shprehet përmes agjencisë “Presheva Jonë” lidhur me raportet mes Kosovës -UEFA dhe deklarata e Michel Platinit rreth Kosoves dhe te tjeret dhe Platinit… “Platinit, nuk duhet t’i biem në qafë për farë Kosofobie, përkundrazi ai është mik i shqiptarëve !..” pohon Fadil Vokrri.

Intervistë Ekskluzive me Fadil Vokrrin, kryetari i Federates se Futbollit te Republiës së Kosoves

“Unë nuk di se çfarë opinioni është krijuar kundrejt z. Platini përballë çështjes sonë, por pa ndejur me një njeri nuk është mirë edhe të flasim kuturu. Unë gjatë takimeve të mija me z. Platini, nuk kam vërejtur ndonjë disponim nëse mund të themi “antikosovë”..  “ thotë ish-ylli i futbollisti shqiptarë Fadil Vokrri, sot kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës në intervistën ekskluzive dhënë agjencisë informative “Presheva Jonë”

Gjenevë 5 dhjetor

Nga korrespondeti yne ne Gjenevë:  Nefail MALIQI

PAMAVRËSISHT NGA NENT E UEFA-s NE DO TË INSISTOJMË TË ANËTARËSOHEMI NË TE, ME OKB-në APO PA TE

Presheva Jonë: Zoti Vokrri, fillimisht çfarë mund të na thoni, për sportin futbollin në Kosovën e pas çlirimit ?

Fadil VOKRRI: Para se të them çfarëdo për futbollin pas çlirimit, duhet të falënderojmë të gjithë ata që u morën me futbollin, në çfarëdo mënyre përgjatë gati 10 viteve pas pavarësimit, që dhanë gjithçka që futbolli të mbijetojë. Tash t’i kthemi pyetjes suaj. Pas çlirimit, sportistët eme këtë edhe futbollistët iu kthyen fushave dhe stadiumeve që për shumë vite i kishin të ndaluara. Duhet përmendur faktin se regjimi serb nuk kishte mirëmbajtur veçse sa i kishte dëmtuar ato. Mirëpo e mira ishte që tashmë shqiptarët ishin kthyer aty dhe po vazhdonin të zhvillonin futbollin. Periudha e fushave të improvizuara kishte lënë pasoja në cilësi dhe shumëçka në përsosjen profesionale, megjithatë u bë një punë e madhe në këtë drejtim dhe për çdo ditë po përmirësohet kjo gjendje, jo ndoshta në masën e dëshiruar dhe të synuar, por kur kihet parasysh se edhe më tutje futbolli po zhvillohet me vullnetin e mirë të njerëzve atëherë arritjet janë të mëdha në çdo aspekt. Tashmë gati çdo klub ka shkollën e futbollit, që në të kaluarën ishte e pamundur, kuptohet në rrethanat e okupimit. Pra, thënë në përgjithësi është punuar mjaft, por ka edhe shumë për t’u punuar.

Presheva Jonë: Si çdo shtet që mbështet futbollin dhe gjitha sportet tjera, sigurisht kjo nuk mungon as nga qeveria e Kosovës. Sa jeni kënaqur me mbështetjen e qeverisë për futbollin, federatën e Futbollit kosovar ?

Fadil VOKRRI  Shikoni, Kosova e pasluftës ka pasur shumë prioritete, të rindërtimit dhe ringjalljes së jetës së njerëzve, mirëpo pavarësisht kësaj, qeveria karshi mundësive gjithmonë e ka mbështetur sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti. Qeveria edhe tani po bën aq sa po mundësojnë kushtet buxhetore sidomos në infrastrukturë. Vlen të përmendet, se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me BE-në vitin që vjen do të nis të ndërtojë 6 fusha të futbollin në disa rajone të Kosovës, që është një ndihmë jashtëzakonisht e madhe për futbollin e Kosovës.

Presheva Jonë: Që kur ekziston FFK dhe çfarë janë prioritet dhe preokupimet e federatës së juaj ?

Fadil VOKRRI Duhet thënë se Federata e Futbollit e Kosovës, vepron që nga viti 1948, ndërsa si e pavarur që nga viti 1991. Varësisht prej periudhave, ndryshojnë problemet dhe synimet. Po flasim për periudhën e mëvetësimit, prioritet ishte të mbahej gjallë loja e futbollit, ndonëse edhe atëherë kishte përpjekje për ndërkombëtarizim. Periudha e pasluftës karakterizohet në përpjekjet për të rritur cilësinë, përmirësuar shkollimin e kuadrove, përmirësimin e infrastrukturës dhe natyrisht në rrafshin ndërkombëtar, përpjekjet që futbolli i Kosovës të bëhet pjesë e mekanizmave ndërkombëtar me këtë edhe e ngjarjeve botërore. Prej kur jam unë në krye të FFK-së, paralelisht kemi punuar në ngritjen e cilësisë së futbollit, shtimin e organizimit, ngritja profesionale e kuadrove, lehtësimit financiar të klubeve si dhe në planin ndërkombëtar në vazhdimësi kemi punuar për anëtarësimin e futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA dhe për flasin takimet e shumta, që kemi pasur në selinë e FIFA-s dhe me krerët e saj dhe me presidentin Blatter sikur edhe me atë të UEFA-s z. Platini.

Presheva Jonë: Ndalemi pak rreth anëtarësimit të Kosovës në EUFA, megjithëse presidenti i saj në Nyon të Gjenvës z.Platini i tha agjencisë sonë se Kosova jo anëtare në UEFA para anëtarësimit të saj në OKB ?

Fadil VOKRRI Për fatin tonë të keq, veç politizimit që tashmë po i bëhet futbollit të Kosovës, ekziston një nen në Statutin e UEFA-s që thotë se një federatë mund të anëtarësohet në UEFA, nëse shteti i saj është anëtare e OKB-së. Dhe në këtë jo vetëm z. Platini por zyrtarë tjerë rrinë prapa kësaj alibie.

Presheva Jonë: Thuhet se UEFA  s’është organizatë politike e as humanitare por thjesht një organizatë evropiane që mbikëqyrë futbollin dhe aktorët përreth tij. Duket sikur interpol edhe Federata Ndërkombëtare e Skive ka pohuar për agjencinë tonë se nuk ju intereson atyre se Kosova është apo s’është anëtare e OKB-së apo BE, tek ne mund të vijnë sepse ne jemi të pavarur dhe jo të politizuar ?

Fadil VOKRRI: Ajo që thoni ju se UEFA nuk duhet të jetë organizatë e politizuar, pajtohem, por këto organizma funksionojnë mbi bazën e Statuteve të tyre dhe mjerisht statuti i UEFA-s këtë e përcakton qartë. Ka shumë federata ndërkombëtare të sporteve të caktuara që në statutet e tyre nuk ka ndalesa apo saktësime të tilla. Mjerisht te futbolli dhe basketbolli me sa di unë janë paksa më ndryshe dhe mbetemi peng i atyre neneve.

Presheva Jonë: Ju z.Vokrri çfarë bashkëpunimi keni me përfaqësues të organizatave botërore të Sportit, në këtë rast edhe me shefin  e UEFA-s z. Platini?

Fadil VOKRRI Unë ju thashë edhe më lartë, se prej që jam unë në krye të FFK-së, disa herë kam vizituar selinë e FIFA-s dhe me bashkëpunëtorët e mijë kemi pasur takime me nivelin më të lartë të futbollit botëror pra edhe me vet z. Blatter, me të cilin kam një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. Sikur edhe me kryetarin e UEFA-s z. Platini kam pasur disa takime kryesisht gjatë vizitave të tija në Shqipëri dhe kemi biseduar gjerë e gjatë për futbollin e Kosovës. Unë do të vazhdojë të kem takime dhe bashkëpunim me këto asociacione pavarësisht refuzimit të tyre për anëtarësimin tonë.

Presheva Jonë: Z.Vokrri, dite me parë përmes agjencisë sonë njeriu numër një i EFA-s Michel Platini i tha jo Kosovës për momentin në UEFA. Pas këtyre deklaratave të Paltinit për Kosovën, ju keni ndonjë strategji se si të arrihet anëtarësimi i FFK në UEFA ?

VOKRRI: Shikoni anëtarësimi i futbollit të Kosovës nuk varet nga Platini, por nga Statuti i UEFA-s, sepse nuk mendoj se te Platini ka ndonjë kosovofobi, ai në takimet me mua vazhdimisht ka treguar mirëkuptim për futbollin e Kosovës, por ai gjithnjë është mbështetur në atë nen famkeq për neve. Pavarësisht kësaj, ne do të vazhdojmë të kërkojmë duke i bashkërenditur veprimet tona edhe me Ministrinë e Jashtme që shtetet që e kanë njohur Kosovën të bëjnë trysni në mekanizmat ndërkombëtar dhe të kërkojnë zhvillimin ndeshjeve miqësore që ishte edhe kërkesa e jonë kohëve të fundit. Prandaj, lidhur me Kosovën dhe UEFA, Platinit, nuk duhet t’i biem në qafë për farë Kosofobie, përkundrazi ai është mik i shqiptarëve. Unë nuk di se çfarë opinioni është krijuar kundrejt z. Platini përballë çështjes sonë, por më lartë e thash se gjatë takimeve të mija me z. Platini, nuk kam vërejtur ndonjë disponim nëse mund të themi “antikosovë”. Fundja nuk ka pse të jetë ashtu, sepse ai ka qenë futbollist me nam dhe nuk me besohet se mund të mendojë në mënyrë anti sportive, aq më pak kundër futbollit ku do qoftë ai.

FUTBOLLISTËT E SHKËLQYESHËM SHQIPTARË NË ZVICËR, PERENDIM…. DËSHMOJNË PËR NJË PERSPEKTIVË TË MIRË TËFUTBOLLIT SHQIPTARË NË BALLKAN

Presheva Jonë: Po çfarë  mendoni për yjet e sportit, futbollit shqiptarë në perëndim, në Zvicër.  Meqë dikur kishim Vokrrin, po sot në Kosovë a i keni “xhemailat”, “canat”, “xhakat” e juaj…

Fadil VOKRRI: Çdo periudhë nxjerr edhe emra të njohur të futbollit. Kemi edhe në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Emrat që i përmendet ju dhe të tjerët që për fat të mirë nuk janë të pakët, po nderojnë në radhë të parë personalitetin e tyre, pastaj familjet dhe vendlindjen e tyre Kosovën apo trevat tjera shqiptare. Duke i shikuar këtë futbollist, me mban shpresa se futbolli i Kosovës ka një të ardhme të ndritur dhe se shqiptarët dhe Kosova në një të ardhme të afërt do të shijojë evenimentet më të mëdha të futbollit evropian dhe botëror, që po na mungojnë me shekuj.

Presheva Jonë:  Dhe në fund z.Vokrri çfarë mund të na thoni për futbollin shqiptarë në Luginën e Preshevës, keni qenë ndonjëherë apo keni ndërmend të organizoni ndonjë ndeshje mes ekipeve në Luginën e Preshevës me ato kosovare?

Fadil VOKRRI: Në radhë të parë dua të ju them se asaj treve shqiptare mua me pëlqen t’i them Kosovë Lindore. Ndërkaq të ju them se unë si ish futbollist shpesh kam qenë andej pari. E dyta po kërkuan sportistët e Kosovës lindore unë me kënaqësi do t’i vizitojë dhe së treti, ne edhe në të kaluarën kemi bërë përpjekje që të integrojmë ndonjë skuadër nga kjo trevë në garat tona dhe kampionatet tona, por ekzistojnë pengesa të ndryshme ligjore dhe administrative. Ndërkaq, që në të ardhmen pse edhe të mos zhvillojmë ndeshje ndërmjet skuadrave tona.

SHPËRNDAJE