VMRO-DPMNE kundër gjuhës shqipe në Strugë

 

Partnerët e koalicionit BDI dhe VMRO-DPMNE janë konfrontuar edhe në nivelin lokal. Partia e Gruevskit nuk lejon që gjuha shqipe të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Strugë.

Këshilltarët e saj po e bllokojnë miratimin e Statutit të komunës e cila që prej vitit 2006 po funksionon pa këtë dokument zyrtar. Kontestues është neni 7. Blloku i partive politike shqiptare kërkon që në të thuhet se krahas gjuhës zyrtare maqedonase, në Strugë edhe gjuha shqipe është zyrtare, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që të rishqyrtohet amendamenti 5 i Kushtetutës së Maqedonisë për përdorimin e gjuhëve, në të cilin thuhet se gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe gjuha të cilën e përdorin nacionalitetet të cilët janë mbi 20 për qind nëpër komuna.

Mbledhjen e fundit të Këshillit në të cilën kaloi projekt versioni i statutit, këshilltarët maqedonas demonstrativisht e braktisën mbledhjen.

“Shqiptarët në Strugë tani janë më shumë se 50 për qind dhe ky është një realitet sot në Strugë. Nëse pas 20 viteve do të jenë më pak se 20 për qind, Këshilli do të marrë një vendim dhe do ta largojë si gjuhë zyrtare. Ne kërkojmë që të identifikohemi këtu si shumicë”, tha Ramiz Merko kryebashkiak i Strugës.

Nga VMRO-DPMNE e akuzuan Merkon se me vetëdije e ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin e Maqedonisë. Ata paralajmërojnë se të gjitha vendimet e deritashme dhe të ardhshme të Këshillit, do ti paraqesin për shqyrtim në në Gjykatën Kushtetuese. Edhe partitë shqiptare të opozitës PDSH dhe DR kanë reaguar duke thënë se situata e krijuar është pasojë e mosfunksionimit të koalicionit VMRO-BDI.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni