VLLAZNI, MEDVEGJA JONË PO RRËMOHET PËR ÇDO DITË!

Nga Albin KURTI

Kah po shkon Kosova Lindore?!

 
Shqiptarët e Medvegjës janë bërë pakicë në vendin e tyre…lexuam ditëve të fundit në faqen e Agjencisë Kombëtare “Presheva Jonë”, kurse Bujanocin gradualisht po e rrëmojnë për ta lënë Preshevën të vetmuar në Luginë ?!
  
 
Pas luftës së UÇPMB-së, shqiptarët e Luginës së Preshevës i gëzoheshin dy sukseseve: krijimit të policisë multietnike dhe marrjes së pushtetit në Bujanoc. Në këto dy projekte faktori ndërkombëtar kishte dhënë përkrahjen e tij përmes OSBE-së. Serbia asnjëherë nuk e kishte tumirë këtë ndryshim që sadopak u kishte mundësuar shqiptarëve të frymonin më lirshëm. Serbia i kishte minuar ato sa herë që iu ishte dhënë mundësia, ashtu siç vazhdon t’i minojë edhe sot e kësaj dite. Projekti i parë vetëm quhej ‘polici multietnike’ por në thelb nuk përfaqësonte strukturën etnike të popullatës në tri komunat e Luginës. Struktura etnike e të punësuarve në stacionet policore është siç vijon:
 
Shqiptarë nga Presheva dhe Bujanoci, kanë qenë gjithsej 60, ndërsa nga Medvegja, për shkak të pastrimit etnik atje, asnjë. Vetëm dy shqiptarë nga Presheva mezi janë pranuar. Njëri nga ata për arsye personale ka hequr dorë. Nga Bujanoci asnjë.
     Policët shqiptarë gjatë nëntë viteve të punës kanë vetëm rol dytësor në këtë polici dhe asnjë nga ata nuk është avancuar në hierarkinë e lartë policore në nivel komunal: aty udhëheqin gjithmonë serbët. Policinë multietnike, me dy serbë e një shqiptar, mund ta shohësh vetëm në vendbanimet shqiptare, kurse në vendbanimet serbe patrullojnë vetëm policët serbë pa asnjë polic shqiptar.
     Në vitin 2008 kanë aplikuar 1.900 kandidatë. Në mesin e tyre kanë qenë vetëm 8 shqiptarë. 569 aplikantë, e në mesin e tyre 40 kandidatë nga pakicat apo 7%, i kanë plotësuar kriteret e rekrutimit, por asnjë shqiptar. Sipas vendimit të MUP-it serb, në 4 vitet e ardhshme nuk do të hapet konkursi për pranimin e policëve të rinj, pasi që me automatizëm do të shfrytëzohet shifra e 569 kandidatëve të lartpërmendur. Me këtë nënkuptohet se së paku në 4 vitet e ardhshme asnjë shqiptar i Preshevës, Bujanocit e Medvegjës nuk do të mund të bëhet polic.
     Serbia ka marrur donacione të majme nga bashkësia ndërkombëtare për reformimin e policisë por i ka lënë shqiptarët gjithmonë në rangjet e ulta dhe më të pakët proporcionalisht. Në anën tjetër, siç e dimë, Qeveria e Kosovës ua ka ruajtur pagat policëve serbë në Kosovë për më shumë se një vit ndonëse ata e shkëpusnin zinxhirin komandues meqë gjithnjë dirigjoheshin nga Beogradi. Standardet e dyfishta kur janë në pyetje MUP-i serb dhe (Sh)PK-ja tregojnë më së miri për asimetrinë diskriminuese ndaj shqiptarëve.
     Në këtë ndërmarrje Serbia e ka pasur përkrahjen e zyrtarëve rusë në OSBE. Është interesante qysh OSBE-ja në Luginë ka qenë fushëbetejë amerikano-ruse. Por, ajo tash po tërhiqet nga Lugina. OSBE-ja si sponsor i projektit të policisë multietnike e ka shpallur në heshtje si të dështuar këtë projekt gjatë muajit tetor duke e mbyllur zyrën e saj që ka të bëjë me punët e policisë në Luginë. Me tërheqjen e OSBE-së nga projekti, asnjë shqiptar më nuk do të ketë mundësi që të bëhet pjesëtar i policisë për shkak të mosnjohjes së mirë të gjuhës serbe dhe konkurrencës në nivel republikan. Për dështimin e projektit faj kanë edhe liderët e partive politike shqiptare, të cilët pas luftës së UÇPMB-së, në vend se të merren me hallet e popullatës, janë zhytur në rivalitete të përhershme mes veti, duke përfunduar në garë për servilitet ndaj faktorëve ndërkombëtarë por edhe ndaj Beogradit. Disa nga këta liderë shesin patriotizëm para popullit për mosbashkëpunim me policinë në nivel lokal, kërkojnë nga populli durim deri atëherë kur Serbia të bëhet anëtare në BE thuajse atje pozita e tyre do të përmirësohet vetvetiu, por në anën tjetër nuk hezitojnë të takohen në Beograd e të bashkëpunojnë me ministrin e policisë serbe Ivica Daçiq.
     Krahas dështimit të projektit të parë, Serbia po e përgatit terrenin edhe për dështimin e projektit të dytë. Në zgjedhjet e ardhshme dhe me sistemin e regjionalizimit të Serbisë, ajo do t’ua shkëput shqiptarëve nga dora vendbanimin më strategjik të tyre, qytetin e Bujanocit. Sipas regjistrimit të popullsisë nga viti 2002, e i cili i ka përjashtuar qytetarët të cilët janë për më shumë se një vit në botën e jashtme, në Medvegjë shqiptarët kanë mbetur vetëm 26,17% të popullsisë, në Bujanoc janë 54,69% kurse në Preshevë 89,10%. Serbia e ka në shënjestër posaçërisht Bujanocin ku nënpërfaqësimi dhe diskriminimi i shqiptarëve është më i theksuari. Në ndërmarrjet publike në Bujanoc janë të punësuar 1.390 serbë dhe vetëm 47 shqiptarë; në gjykata e prokurori 61 serbë dhe 18 shqiptarë; në kadastër dhe hekurudha s’ka fare të punësuar shqiptarë kurse serbë janë 10, përkatësisht 11 të punësuar, etj. etj. Varfëria dhe papunësia gjithsesi janë trysni politike mbi shqiptarët që ta lëshojnë vendin e tyre.
     Në funksion të ndryshimit të përbërjes etnike në Bujanoc, që ka për synim zbritjen e përqindjes së popullsisë shqiptare nën 50% dhe shndërrimin e tyre në pakicë, është edhe baza ushtarake “Jug” në fshatin Boroc të Bujanocit. Krahas 1.000 ushtarëve edhe kuadrit ushtarak për këtë qendër logjistike e komanduese, në Bujanoc do të sjellen edhe familjet e tyre. Madje edhe UNDP ka paralajmëruar se në tri vitet e ardhshme do t’i integrojë serbët e ikur nga Kosova në komunën e Bujanocit! Numri i tyre kap shifrën rreth 5.000 dhe kjo gjë trumbetohet si kontribut në zhvillimin ekonomik të Luginës. Ka edhe spastrim etnik në kohë paqeje dhe jo vetëm në kohë lufte, apo jo?
     Thelbi i dështimit të këtyre projekteve konsiston në heshtjen e të gjithë faktorëve të zotuar për realizimin e tyre. Beogradit heshtja i konvenon se edhe ashtu është duke realizuar strategjinë e tij për pastrim etnik të tri komunave. Shqiptarët e Medvegjës janë bërë pakicë në vendin e tyre, kurse Bujanocin gradualisht po e rrëmojnë për ta lënë Preshevën të vetmuar në Luginë. Bashkësisë ndërkombëtare e sidomos OSBE-së heshtja ia mundëson ikjen nga obligimet që i ka marrur për këtë rajon, ndërkaq liderëve shqiptarë heshtja u levërdis për realizimin e interesave personale duke inkuadruar anëtarët e familjes apo militantët partiakë në ndonjë post komunal apo shtetëror. Heshtja për këto dy projekte në Luginë është pranim i degradimit të të drejtave dhe pranisë shqiptare. Sigurisht që faj shumë të madh për tërë këtë kanë Tirana e Prishtina zyrtare të cilat e përmendin Luginën e Preshevës në fraza të përgjithshme kur kanë nevojë të pëlqehen prej turmave të votuesve, por s’veprojnë asgjë konkretisht për të. Bëjnë pazare politike dhe ekonomike me Beogradin thuajse nuk ekziston fare Lugina e Preshevës dhe shqiptarët e shtypur në të.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni