Komandanti i KFOR-it Erhard Buhler, së bashku me ministrin e Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota dhe komandantin e FSK-së Sylejman Selimi vlerësuan operacionet humanitare të FSK-së gjatë përmbytjeve në Shqipëri.

Buhler lavdëroi progresin e madh të cilin e ka arritur FSK-ja deri më tani, duke shtuar se FSK është një forcë shumë ambicioze dhe profesionale që i arrin detyrat e dhëna.

“Uroj FSK-në sidomos në performancën efikase dhe përgjigjen e shpejtë për Shqipërinë. Ju keni dëshmuar atje një operacion të ndërmarrë mirë për të ndihmuar shumë njerëz të rrezikuar. Ky mision ndërkombëtar në Shkodër ka treguar se ju mund të përballeni me situata të vërteta emergjente”, ka thënë Buhler.

Buhler, Mujota dhe Selimi gjithashtu diskutuan planifikimin dhe performancën e ushtrimit fushor “Luani i shkathët 3”, bazuar në raportet e vlerësimeve të ushtrimit të zhvilluar së bashku nga KFOR-i dhe Ministria e FSK-së. Qëllimi primar i këtij operacioni ishte të rrisë dhe verifikojë integrimin e veprimeve të përbashkëta operacionale dhe ndër institucionale në nivele strategjike, operacionale dhe taktike.

KFOR-i dhe Ministria për FSK-në u pajtuan të vazhdojnë punën në përmirësimin e disa fushave të planifikimit operacional dhe procesit vendimmarrës. Mentorët e KFOR-it do të punojnë në koordinim të ngushtë me homologët e tyre të FSK-së për të siguruar një progres të mëtutjeshëm në ushtrimet e ardhshme. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE