Qeshur rini qeshu se bota eshte e jota…

Buzëqesh, Në çdo rrethanë buzëqesh. Jo sepse jeta nuk ka vështirësi dhe probleme. Jo sepse jeta shkon vaj dhe shpesh nuk është mizore, Jo sepse errësira shpesh nuk sundon shpirtrat tanë, por sepse pavarësisht të gjithave është bukur të ekzistosh,është magji të jetosh dhe dashurosh, pavarësisht fatit të keq dhe përvojave. Buzëqesh sepse ne kemi zgjedhur të luftojme për të qenë te lumtur; sepse kam kurajo te jem mirënjohëse, mirënjohëse për gjërat e mira që kam, që përtej problemeve, jeta më ka kursyer disa probleme të tjera, që nuk i kisha, por tani i kam, buzëqesh, që fytyra te jete e lumtur, duke ndjekur zemrën e gëzuar, të duket si dritë; dritë e bardhë mes errësirës.

Po Lumturia ?…

Lumturia është qëllimi më i rëndësishëm, i cili duhet të ekzistojë dhe të përmbushet çdo ditë. Është shumë e lehtë të hapësh axhendën dhe aty të shkruash rutinën ditore që do apo të duhet të ndjekësh, por rrallë në të tilla axhenda gjen si diçka për tu bërë deri në fund të ditës një qëllim që ka në vetvete lumturinë, qoftë ky qëllim për të bërë veten të lumtur apo për të bërë të tjerët të lumtur( e cila është diçka shumë personale). Unë personalisht i konsideroj të pandashme ato që përmenda më sipër, duke specifikuar se kur ke arritur të lumturosh veten, të tjerët tashmë janë të lumtur.

Lumturia nuk është e paarritshme, por harrohet lehtë. Ajo merret si e mirëqënë, sikur është gjithmonë aty, sikur e ka për detyrë të zbukurojë ditën e çdo njërit prej nesh edhe nëse ne nuk kujtohemi fare ta sjellim ndërmend gjatë ditës. Lumturia është si gjuha e huaj, po e harrove të harron edhe ajo; po nuk e praktikove ajo gjen dikë tjetër që e praktikon dhe e vlerëson, pra shkon atje ku mendon se është e kërkuar dhe investimi nuk shkon dëm.

Lumturia është të ndjesh çdo ndjenjë në çdo formë pa mundim.Jeta e përditshme është plot me situata të larmishme(edhe kur nuk është, është thjesht monotone) dhe si pasojë ka një lum me emocione që përshkojnë qënien njerëzore. Mënyra se si kjo e fundit reagon ndaj tyre e afron ose e largon me lumturinë. Sa më i natyrshëm dhe normal të jetë reagimi, aq më pranë vetes ndihet lumturia.

E kur arrihet lumturia? Lumturia arrihet në mënyra të veçanta dhe pesonale nga çdo individ. Unë ndjen se do ta arrij atë plotësisht në bazë të respektimit të disa proçeseve që mua personalisht më sjellin lumturi.

Sipas meje:

1.Lumturia arrihet kur secili krijon dhe ndërton një miqësi mes trupit dhe mendjes, e këta si dy shokë ndjekin njëri tjetrin në çdo vendim që nevojitet të ndërmerret.

2.Lumturia arrihet atëherë kur nuk e aplikon afësinë për të gjykuar realitetin tënd, por fiton aftësinë ta kuptosh atë dhe të lexosh mesazhet që ky realitet po përcjell tek ti.

3.Tek lumturia nuk të çon gjykimi i njerëzve, por aftësia të shohësh tek ata një pjesë të vetes, sikur të ishin pasqyrë që reflektojnë një pjesë tënden.

4.Lumturi është të zhdukësh nga vetja EGON, të mos mendosh më ‘UNË’, por të fillosh të mendosh ‘NE’. Të shohësh pamjen e madhe dhe të plotë të çdo situate, jo vetëm një pjesë të pamjes, dhe jo atë pjesë të pamjes që ti do të shohësh.

5.Lumturia arrihet kur fillon të pranosh çdo gjë ashtu siç është dhe arrin të shohësh anën pozitive të saj.

6.Lumturi është të duash pa kushte anën tënde të brendshme dhe atë të jashtme.

7.Lumturia arrihet në fund të rrugës së nisur, kur kjo rrugë është e aftë të mbjellë në zemrën dhe sytë e tu atë shkëlqim të munguar, atë shkëlqim të ngrohtë dhe të zjarrtë që shkrin akujt e kompleksit dhe djeg perdet e paragjykimit.

8.Lumturia arrihet kur gjen dikë që nuk të bën të krijosh apo përjetosh varësi, por të bën të fillosh të krijosh në vetvete dëshirën për të ecur sëbashku në rrugën e jetës.

9.Lumturia ndjehet kur dikush të ndihmon të rritesh dhe kur ti ndihmon dikë të rritet.

  1. Lumturia është shumë pranë kur dikush di të dojë natyrën dhe të punojë për të jo kundër saj.
  2. Lumturia arrihet kur qesh, çdo sekondë të çdo dite dhe të mos lejosh askënd të ta marrë atë buzëqeshje, me leje apo pa leje.
  3. Lumturi është të qëndrosh me veten tënde dhe ta pëlqesh atë qëndrim, pa ndjerë nevojë për askënd dhe për asgjë.
  4. Lumturi është të këndosh, të këndosh me zë të lartë për të tjerët dhe për veten gjithashtu.
  5. Lumturia ndjehet me mundësinë që çdokush ka për të jetuar, prekur, nuhatur, shikuar dhe shijuar çdo ditë, çdo gjë falas.
  6. Lumturia arrihet kur jeton jo vetëm për të marrë frymë, por për të lënë impakt dhe për të përmbushur ditët në paqe e harmoni me të gjithë.

 

Lumturia nuk është e vështirë të ndjehet dhe as të arrihet. Duhet kuptuar që lumturia nuk është një destinacion por një proçes që nuk mbaron kurrë. Ajo është si një rrugë që nuk duhet ti dihet fundi, por duhet të shijohet ecja. Ndaj është mirë të zgjedhësh rrugën më të gjatë, sepse të shkurtrat zgjasin pak ose hiç.

SHPËRNDAJE