Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, shmangu komentet mbi Realin e Madridit në prag të sfidës me Getafen, e vlefshme për javën e 4 të Primera Divizion. Tekniku katalanas këmbënguli se diferenca prej 5 pikësh me los Blankos ka shumë pak rëndësi, kur janë luajtur vetëm tri javët e para të kampionatit. “Objektivi ynë është t’i marrim ndeshjet një e nga një, është e padobishme të mendosh në këtë moment për El Klasikon. Më parë është Getafe, pastaj takimi i Championsit e kështu me radhë. Më shumw rëndësi për momentin ka fakti që kemi grumbulluar 9 pikë, pra i kemi fituar të gjitha ndeshjet e kampionatit.”

Vilanova kujton humbjen e sezonit të kaluar në “Koliseum”, për të treguar sesa e vështirë do të jetë kjo transfertë për katalanasit.

“Do të luajmë me një kundërshtar shumë të fortë, sic është Getafe, që na ka mundur sezonin e kaluar, ndërsa vetëm pak javë parë ka mposhtur edhe Realin e Madridit. Nuk është e lehtë të përballesh me një skuadër të tillë.

I pyetur mbi “Virusin e FIFA-s”, sikurse etiketohen dëmtimet e lojtarëve me kombëtaret e tyre, 43 –vjecari u përgjigj:

Dëmtimet e futbollistëve na detyrojnë të bëjmë ndryshime jo vetëm në formacionin titullar, por edhe me lojtarët që do të ulen në stolin e rezervave. Nuk mund të bëjmë asgjë, sepse që në momentin kur kemi firmosur me futbollistët e dinim që do të grumbullohen me kombëtaret e tyre. Mënyra më e mira për t’u shëruar nga virusi I FIFA-s është të fitojmë me Getafen.”

Vilanova zbuloi se Tiago Alkantara dhe Sesk Fabregas mund të nisin titullarë ndeshjen me Getafen, ndërsa David Vija, i cili është rikthyer nga një dëmtim i gjatë, mund të aktivizohet për më shumë se 45 minuta. Gjithashtu në formacionin titullar do të përfshihet edhe Lionel Mesi, i cili luajti në mesjavë një ndeshje shumë të vështirë me Argjentinën kundër Perusë.

SHPËRNDAJE