Mungesa e kontraktuesit të Qeverisë për mirëmbajtje të autostradës ka çuar në vdekjen e një personi dhe lëndimin e nëntë vetave si pasojë e shfaqjes së ngricave të para në urat e fshatitLeshan të Komunës së Prizrenit.

Autoritetet e policisë rajonale në Prizren kanë konfirmuar se dy aksidentet në urën e autostradës, që gjendet në këtë fshat, kanë ndodhur për shkak të ngricave. “Urat në fshatin Leshan të Prizrenit kanë qenë me ngrica. Unë edhe vetë kam qenë në vend të ngjarjes. Në urë janë krijuar ngrica pasi që ftohtësia është edhe nën urë, edhe mbi urë. Në trase krijohen më me vështirësi pasi toka e ruan nxehtësinë”, ka thënë Hazir Berisha, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit.
Shoferët, sipas tij, nuk kanë mundur të parashihnin gjendjen e urave dhe nuk e kanë ndalur shpejtësinë me të cilën kanë vozitur përgjatë trasesë së autostradës. Ndërkaq zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës nuk kanë dhënë një përgjigje rreth konstatimeve që ka bërë Policia e Kosovës për arsyet e shkaktimit të aksidenteve, shkruan sot Koha Ditore.
Tenderi i hapur më 22 nëntor pritet të mbyllet më 8 dhjetor, ku do të bëhet hapja e ofertave. Periudha e vlerësimit të ofertave pas hapjes së tyre mund të shkojë deri në një muaj si dhe tetë ditë të tjera që janë të rezervuara për kohën e ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

SHPËRNDAJE