“Qeveria e Serbisë vazhdon t’i mohojë të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke e shkelur përditë detyrën e saj për t’i mbrojtur të drejtat e pakicave. Shqiptarët mbeten të diskriminuar në arsim dhe në institucionet publike, të nënpërfaqësuar në institucionet e drejtësisë, dhe i nënshtrohen vazhdimisht dhunës arbitrare të policisë. Lugina e Preshevës mbetet një nga zonat ekonomike më të pazhvilluara dhe më të militarizuara në Serbi…”thuhet në letrën e “Vetvendosje” derguar shefave te diplomacive të BE-së, njofton agjencia informative kombëtare “Presheva Jonë”

 

Prishtinë, 9 janar/AIK-Presheva Jonë

 

Mërgata Shqiptare kundër dhënies së Serbisë statusin e vendit kandidat të BE-së

Qytetarët shqiptar që jetojnë dhe punojnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë marrë iniciativë që si banorë dhe taksapagues të këtyre vendeve të kërkojnë nga Ministrat e Jashtëm të këtyre shteteve që të mos përkrahet dhënia e statusit të vendit kandidat për Serbinë në mbledhjen e Këshillit Evropian në mars të këtij viti.

Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mërgatë do të organizojnë të gjithë anëtarët dhe përkrahësit t’i drejtohen me letrën e mëposhtme Ministrave të Punëve të Jashtme në vendet ku ata jetojnë, duke dhënë argumente e shembuj se si Serbia nuk ka ndryshuar në raport me Kosovën dhe si e tillë nuk është e aftë që të përafrohet me vlerat dhe politikat e Bashkimit Evropian. Që nga nesër, 10 shkurt 2012, do të fillojë dërgimi i letrës, njofton agjencia informative kombëtare “Presheva Jonë”. Ja edhe letra e “Vetevendosje” që arriti në redaksinë tonë.

 

Letra:

I nderuar Ministër i Jashtëm

Ju drejtohem me respekt nëpërmjet kësaj letre për të kërkuar nga Qeveria juaj që të refuzojë kërkesën e Serbisë për të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE derisa ajo t’i plotësojë kushtet për pranim në BE dhe derisa të demonstrojë përkushtimin e saj për parimet themeluese të Bashkimit Evropian.

Unë besoj se Serbia është duke i shkelur këto kushte dhe parime nëpërmjet politikës armiqësore që po ndjek në Kosovë. Refuzimi i kërkesës së Serbisë është i nevojshëm për t’i inkurajuar reformat e vërteta brenda Serbisë. Duke vepruar në këtë mënyrë Qeveria juaj do të mbronte interesat e popullit të Kosovës dhe të popullit të Serbisë, dhe do të bënte të mundur një paqe afatgjatë dhe përparim të qëndrueshëm në rajonin tonë.

Që nga viti 1999 udhëheqësit e Serbisë i kanë drejtuar dhe i kanë financuar strukturat ilegale shtetërore brenda Kosovës, të cilat e kanë penguar integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet dhe në shoqërinë e Kosovës. Strukturat ilegale të sigurimit serb kanë kryer krime kundër qytetarëve të Kosovës pa u ndëshkuar asnjëherë për to dhe janë integruar tashmë në rrjetet e krimit të organizuar në veri të vendit tonë. Këto struktura e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, si dhe funksionalitetin tonë institucionale, ndërsa kryetari i Serbisë, Boris Tadiç, kohët e fundit ka deklaruar se ai kurrë nuk do t’i shuajë ato. Në fakt, Serbia duket e vendosur për t’i forcuar strukturat e veta politike ilegale duke kërcënuar se do t’i mbajë zgjedhjet e saj të ardhshme të përgjithshme dhe lokale brenda territorit të Kosovës, për herë të dytë pasi Kosova ka shpallur pavarësinë.

Qeveria e Serbisë vazhdon t’i mohojë të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke e shkelur përditë detyrën e saj për t’i mbrojtur të drejtat e pakicave. Shqiptarët mbeten të diskriminuar në arsim dhe në institucionet publike, të nënpërfaqësuar në institucionet e drejtësisë, dhe i nënshtrohen vazhdimisht dhunës arbitrare të policisë. Lugina e Preshevës mbetet një nga zonat ekonomike më të pazhvilluara dhe më të militarizuara në Serbi.

BE-ja e ka theksuar pjesëmarrjen e Serbisë në dialog si kusht të domosdoshëm për anëtarësim. Megjithatë, në këtë dialog nga Kosova po kërkohet të bëjë lëshime në sovranitetin e saj të shpallur. Ndërsa Serbisë nuk po i bëhet asnjë trysni për ta detyruar që të ndërmarrë hapa drejt njohjes së Kosovës. Si rezultat do të kemi një zgjidhje me paqartësi të përhershme që do të jetë në favor të Serbisë, por kjo padrejtësi do t’i kushtojë Kosovës. Kjo, gjithashtu, nuk do ta lërë Serbinë që të pendohet për të kaluarën e saj të hidhur dhe për të bërë reforma të vërteta. Edhe dymbëdhjetë vjet pas luftës udhëheqësit e Serbisë nuk kanë kërkuar asnjëherë falje publike për krimet e tmerrshme të kryera në Kosovë, e as nuk kanë paguar për dëmet e shkaktuara nga lufta.

Duke e përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, pa u siguruar së pari që ajo ka kryer reforma të vërteta, do të kemi vetëm importim të problemeve të rajonit tonë në Bashkimin Evropian, e jo zgjidhje të tyre. Prandaj unë me respekt ju sugjeroj që Qeveria juaj të votojë kundër dhënies së statusit të kandidatit për Serbinë, thuhet në fund të letrës së VETVENDOSJE dërguar sot ministrave të punëve të jashtme të Bashkimit Evropian.

SHPËRNDAJE