Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar vendimin e kryeministrit Thaci për rritjen e rrogave të punonjësve të sektorit publik, duke e vlerësuar atë si anti-kushtetues.

Përmes një komunikate për shtyp, Vetëvendosje ka deklaruar se Thaci nuk mund të marrë një vendim të tillë, duke qenë se qeveria e tij është një ekzekutiv në largim.

Për më tepër, thuhet në komunikatë, ky vendim nuk mund të merret pa u krijuar Parlamenti i ri, që është edhe institucioni i vetëm që mund të miratojë buxhetin e shtetit.

“Deklarata e Thacit se ky vendim nuk ishte vetëm një premtim elektoral bëhet pikërisht në ditën e dytë të fushatës për rivotimin në tre komuna të Kosovës, gjë që demaskon arsyen e marrjes së tij”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, ministri në ikje i Ekonomisë, Ahmet Shala ka deklaruar se rritja e rrogave do të bëhet nga kursime që nuk cënojnë funksionalitetin e shtetit.

SHPËRNDAJE